Gjithashtu mbylli vitin mësimor edhe shkolla profesionale në Mesopotam të Sarandës, duke përgatitur në mënyrë dinjitoze nxënës në degët: Teknologji informimi dhe komunikimi, Elektronikë, Termohidraulikë, Shërbime sociale dhe shëndetësore, duke shërbyer si një fidanishte e të ardhmes së Kishës dhe të shoqërisë shqiptare. Mësuesit shqiptarë dhe të huaj dhanë eksperiencën e tyre në dijet shkencore, duke i njohur nxënësit edhe me elementët më bashkëkohorë të degëve përkatëse.
Shkolla 9 – vjeçare shqiptaro-amerikane “Protagonistët”, vijoi edhe këtë vit suksesin e paraqitjes së shkëlqyer me metodat më bashkëkohore të mësimarrjes. Gjithashtu, shkolla 9-vjeçare shqiptaro-greke “Frymë Dashurie”, në Durrës, përfundoi vitin shkollor me përparime në fushën e dijes për nxënësit e shtatë klasave të para të saj.
Shkollat e Kishës sonë shërbejnë si laboratorë të ringjalljes shpirtërore dhe morale të shoqërisë sonë dhe përgatitjes cilësore në profesionet e jetës. Organizimi shumë i mirë për mbylljen me sukses të vitit të ri shkollor, me bekimin dhe mundësitë e krijuara nga Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Anastas, tregon vlerësimin e madh që i jepet formimit të një brezi të ri me dije e kulturë për të ardhmen e Kishës dhe vendit.
Isidor Koti