Kampi i parë: “Fëmijët patën bekimin e madh të njohin Krishtin”
Me hirin e Perëndisë dhe me përkujdesjen e Kryepeshkopit të Tiranës, Imzot Anastasit, në Manastirin e “Fjejtjes së Hylindëses Mari”, në Zvërnec të Vlorës, u zhvillua kampingu i parë për këtë verë, me fëmijët. Ky kamping u drejtua nga Zyra e Fëmijëve nën drejtimin e Z. Nathan Hoppe. Të pranishëm në këtë kamp, ishin pjesmarrës rreth 100 fëmijë bashkë me stafin, i cili përbëhej nga katekistë, studentë të Akademisë Teologjike “Ngallja e Krishtit”, si edhe studentë të tjerë që studiojnë brenda dhe jashtë Shqipërisë. Këtë vit në kamp u pagëzuan 13 fëmijë nga Mitropoliti i Beratit, Vlorës, Kaninës dhe gjithë Myzeqesë, Imzot Ignati, i cili mbajti edhe referatin e tij përkatës. Gjithashtu nuk mungoi në kamp Atë Joan Trebicka, i cili kreu Misterin e Rrëfimit. Ai ishte edhe refurues i një teme për fëmijët.
Kështu në thelb të gjithçkaje ky kamping ishte i vlefshëm për të gjithë pjesmarrësit, sepse edhe një herë patëm bekimin e madh të jetojmë më Krishtin, duke mësuar teorikisht mbi besimin dhe duke e zbatuar praktikisht me lutje, me studimin e Biblës, si edhe me pjesëmarrjen në Misteret e Shenjta të Kishës sonë Orthodhokse.
Joan Qako
Kampi i dytë: “Ndërgjegjësimi i të rinjve mbi rolin, traditën dhe rrugën që ka përshkruar besimi i krishterë në Shqipëri”
Periudha e dytë e kampit “Rilindja” për djemtë u zhvillua këtë vit nga datat 13-22 korrik 2011. Është bërë traditë që ky kamp të drejtohet nga pedagogët e Akademisë Teologjike, të cilët së bashku me studentët dhe bashkëpunëtorët e ndryshëm krijojnë një program shpirtëror dhe shoqëror. Kampi konsiderohet si një moment ku duhen ndërthurur momentet lutëse, pjesëmarrja në jetë litugjikale, studimi i Shkrimit të Shenjtë, diskutimet shpirtërore me argëtimin në lojëra të ndryshme sportive në kamp dhe në plazh, pastrim dhe mbrojtje ambienti si dhe shfaqja e filmave dhe dokumentarëve të ndryshëm me përmbajtje shpirtërore dhe shoqërore.
Gëzimi që të krijon pranimi i Krishtit, kampistët e përjetuan kur tetë nga pjesëtarët e kampit pranuan, pohuan dhe u pagëzuan në emrin e Trinisë së Shenjtë. Misteri që ofroi këtë gëzim u drejtua nga Episkopi i Apollonisë, Imzot Nikolla dhe njëkohësisht edhe drejtori i Akademisë Teologjike “Ngjallja e Krishtit”.
Pjesë e rëndësishme e kampit ishte ndërgjegjësimi i të rinjve mbi rolin, traditën dhe rrugën që ka përshkruar besimi i krishterë në Shqipëri. Për një pjesë të kampistëve përjetuan këtë mrekulli me vizitën dhe kryerjen e shërbesës së Dhoksologjisë në katedralen që po ndërtohet në Tiranë. Ky përjetim përkon me ardhjen e parë të Kryepiskopit Anastas më 16 Korrik 1991, në Shqipëri, ditë e cila për disa të rinj është e panjohur dhe është e vështirë edhe të kuptojnë rrugën që ka përshkuar rindërtimi i Kishës tonë që nga fillimet.
Thoma Çomëni
Kampi 3: “Mirënjohje ndaj Kishës që ofroi një jetë reale dhe me përjetime të veçanta”
Nga datat 25 korrik deri në datë 3 gusht 2011 u zhvillua kampi i tretë për të rinj të moshës 16 – 25 vjeç ku morën pjesë rreth 60 të rinj të këtyre moshave dhe një staf drejtues prej rreth 20 persona ku përfshiheshin klerikë të Kishës sonë Orthodhokse, teologë, katekistë si edhe të rinj vullnetarë, të cilët ndihmojnë katekistët në aktivitetin e tyre gjatë gjithë vitit. Ky kamping drejtohej nga Arqimandrit Asti Bakallbashi së bashku me klerikun Atë Petro Halili dhe katekistin Robert Pelushi.
Tema e këtij kampi ishte “Eja pas Meje”. Një bekim i veçantë për të pranishmit ishte vizita dhe biseda e mbajtur nga Episkopi i Apollonisë Nikolla si edhe vizita e Mitropolitit të Beratit, Imzot Ignati. Qëllimi i këtij kampi ishte që nëpërmjet jetës, lutjeve, bisedave dhe predikimeve të përçonte te të rinjtë “…që e vetmja rrugë për të ecur me Krishtin është mënyra e të jetuarit sipas mësimeve të vetë Zotit dhe Kishës së Shenjtë Orthodhokse, e cila është shpresa dhe streha e vetme për çdo njeri për të ecur në rrugën e shpëtimit”.
Nata e fundit, e cila u shoqërua me shpërndarjen e dhuratave për fituesit e lojrave dhe konkurseve të ndryshëm organizuar gjatë periudhës së kampit, dhe përshëndetjet e ndryshme, nuk mund të hiqet nga memoria e gjithë kampistëve, të cilët shpreheshin mjaft mirënjohës ndaj Kishës që u ofroi një jetë reale ndryshe nga ajo që ofron jeta e përditshme.
Dhjakon Grigor Pelushi |