Mësues kosovarë dhe shqiptarë u mblodhën së bashku për të ndarë eksperiencën e tyre dhe për të mësuar më tepër mbi mësimdhënien e fëmijëve. Tashmë është viti i katërt që mësues të shkollave 9-të vjeçare të Komunës së Malishevës vijnë në Shqipëri të marrin pjesë në një trajnim mbi mësimdhënien bashkëkohore të fëmijëve. Ky trajnim zhvillohet me bekimin dhe mbështetjen e Kryepiskopit Anastas. Këta arsimtarë u japin mësim fëmijëve të shkollave 9-të vjeçare të kësaj komune, në të cilën Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë çdo verë zhvillon kampe për fëmijët. Trajnimi u organizua nga Zyra Qendrore e Fëmijëve e Kishës.
Këtë vit trajnimi kishte si temë “Historia dhe kultura e Shqipërisë dhe përdorimi i saj në arsimin e përgjithshëm”. Në këtë trajnim merrnin pjesë 25 persona nga të cilët 18 ishin mësues nga Kososva dhe 7 nga Shqipëria. Mësuesit nga Shqipëria ishin pjesë e kampeve verore në Kosovë përgjatë verës. Trajnimi u zhvillua në formën e një vizite në vendet historike-kulturore të Lushnjes, Beratit dhe Tiranës. Trajnuesi ishte Zëvendës-Rektori i Universitetit të Nju Jorkut, Tiranë, Dr Kostantinos Giakoumis. Ditën e parë ai foli mbi përdorimin e historisë dhe kulturës në arsimin e përgjithshëm. Të nesërmen pjesëmarrësit vizituan muze dhe monumente në Lushnje dhe Berat. Në muzun e Lushnjes shpjegimit u bënë nga Joan Çunga, përfaqësues i Arkivit Qendror, i cili foli mbi Ekspozitën e Kodikëve. Vizita u bënë në “Xhaminë e Bajezitit II”, Muzeun Etnografik, kalanë e Beratit, Kishën e Shën Nikollës, Muzeun Onufri etj. Shpjegimet përgjatë këtyre vizitave u dhanë nga Dr. Kostantinos Giakoumis, nga ciceronët etj. Mësuesit shkuan për vizitë edhe në Arkivin e Shtetit. Gjatë këtij trajnimi nuk mungonte edhe puna në grup të cilën arsimtarët e shfaqën edhe para kolegëve të tyre.
Qëllimi i këtij trajnimi ishte të rriste të kuptuarit e mësuesve mbi organizimin e ekskursioneve. Ata kishin edhe një sesion të veçantë që të paraqisnin para njëri-tjetrit punën për sa u përket vizitave në terren. I gjithë trajnimi ishte një model konkret i asaj se çfarë mësuesit duhet të bënin me nxënësit e tyre sa herë që organizonin një ekskursion, në mënyrë të tillë që ato të mos ishin thjesht argëtuese, por edhe edukative.
Pjesëmarrësit kaluan një fundjavë mjaft të frytshme, duke mësuar gjëra të reja dhe të rëndësishme për profesionin e tyre por edhe gëzuan me shoqërinë e njëri-tjetrit. Drejtori i njërës prej shkollave 9-të vjeçare të Komunës së Malishevës, Izet Shala, shprehu falënderimet e tij të përzemërta për organizmin e këtij trajnimi. Shumë falënderime u dhanë edhe nga mësuesit e tjerë, të cilët merrnin pjesë në një trajnim me tematikë të tillë për herë të parë.
Ana Meni