Atmosfera festive e Theofanisë, Ujit të Bekuar, në Tiranë u ndje edhe më e veçantë këtë vit 2013, pasi u kremtua në Katedralen e re “Ngjallja e Krishtit”. Qindra besimtarë e mbushën atë që në mëngjes, por siç ndodh në të kremtet e mëdha, me kalimin e kohës ata u bënë mijëra. Por mjediset madhështore të katedrales e përballuan pa problem.
Liturgjia Hyjnore u krye nga Kryepiskopi Anastas, i ndihmuar nga Episkopi i Amantias Nathanaili dha ai i Bylisit, Asti dhe klerikë të tjerë.Pas Liturgjisë Hyjnore u krye Shërbesa e Bekimit të Ujit, para së cilës Fortlumturia e Tij Anastas iu drejtua besimtarëve për t’iu shpjeguar se si do të zhvillohej ajo në katedralen e re dhe më pas u foli shkurt mbi kuptimin e kësaj dite të madhe, kur e gjithë krijesa nderohet e ripërtërihet dhe bota merr dritë të re. Shërbesa u krye brenda katedrales, për t’u mbyllur jashtë saj, me bekimin e ujit dhe hedhjen e tij në cisternat, nga të cilat për gjatë gjithë ditës mijëra e mijëra besimtarë mbushën ujë për të bekuar familjet dhe shtëpitë e tyre.
Thoma Dhima