Me qëllim ripërtëritjen shpirtërore, miqësinë dhe fuqizimin në ndarjen e besimit me të tjerët, në datën 3 maj 2012, të Dielën e Pentikostisë, në Tiranë dhe Elbasan u organizua një aktivitet rinor një ditor, nën kujdesin e Zyrës së Rinisë së Kryepiskopatës, Qendrës Studentore në Tiranë dhe një grupi studentësh amerikanë, të shoqëruar nga atë Luka Veronis.
Grupi i studentëve amerikanë përbëhej prej 12 studentësh nga Universitete të ndryshme Teologjike Orthodhokse në Amerikë (Kryqi i Nderuar në Boston, Shën Vladimiri në New York, Shën Tihoni në Pensilvani dhe Shën Hermani në Alaskë) dhe drejtohej nga atë Luka Veronis, ish-misionar, që ka shërbyer në Shqipëri për një periudhë disa vjeçare. (1993-2004), shoqëruar edhe nga dy profesorë të njërit prej këtyre universiteteve.
Është viti i tretë radhazi që një grup i tillë, por me studentë të ndryshëm çdo vit, vijnë në Kishën e Shqipërisë në kuadër të lëndës së Misionarizmit, që ata kanë në shkollat e tyre, për t’u njohur nga afër dhe për të parë rimëkëmbjen e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë pas shkatërrimit të plotë të saj gjatë periudhës së regjimit komunist. Gjithashtu, në kuadër të kësaj vizite prej rreth 10 ditësh, meqenëse studentët amerikanë janë në moshë relativisht të re, organizohen aktivitete rinore të përbashkëta me të rinj orthodhoksë shqiptarë, në bashkëpunim me Zyrën Rinore të Kryepiskopatës dhe Qendrën Studentore në Tiranë, për të pasur mundësi të njihen më shumë me njeri-tjetrin si dhe për të shkëmbyer përvojat e tyre të krishtera.
Aktiviteti i përbashkët u zhvillua në dy vende, të dielën paradite në Tiranë dhe pasdite në Elbasan. Objektivat që ishin paracaktuar për t’u arritur dhe që u arritën me suksese ishin: Mbledhja e të rinjve së bashku për të kremtuar Pentikostinë, njohja dhe miqësia mes të rinjve të dioqezës së Tiranës me njeri-tjetrin si dhe me studentët amerikanë, dhe rritja e përtëritja e mëtejshme më Krishtin.
Në takimin që u zhvillua në Tiranë morën pjesë 120 të rinj. Këta ishin nga grupe të ndryshme rinore të dioqezës së Tiranës: nga grupet rinore të Tiranës (Qendra Studentore, Qendra Rinore “Bethlehem”, të adoleshentëve të Kishës së Ungjillëzimit dhe të Qendrës Thavor), të Durrësit, Rrushkullit e Jubës, Kavajës dhe Shkodrës.
Adhurimi në kishë, ditën e Pentikostisë, na kujtoi edhe një herë që të gjithë marrim fuqi prej Shpirtit të Shenjtë dhe përgatitemi për përhapjen e Lajmit të Mirë (Ungjillit) te njerëzit me të cilët jetojmë.
Gjatë predikimit në kishë atë Luka Veronis ndër të tjera theksoi: “Ne si të krishterë nuk duhet të qëndrojmë të mbyllur te vetja, sepse Krishti na ka lënë një porosi që Lajmi i Mirë i shpëtimit të përhapet në të gjithë botën. Asnjë prej nesh nuk duhet të mendojë vetëm për veten e tij, por të jemi të gatshëm që t’i afrohemi çdo njeriu për t’i treguar shpresën dhe besimin që jetojmë. Ndaj pikërisht sot këtë ditë të Pentikostisë jemi mbledhur këtu në kishë njerëz të ndryshëm nga vende të ndryshme të botës për të përjetuar këtë të kremte të madhe dhe për të mësuar që Ungjilli është për të gjithë. Zoti i pret dhe i do të gjithë…”.
Më pas, programi i kësaj dite vijoi me njohjen e programit, koktejin, e në vazhdim në Qendrën Shpirtërore “Thavor”, rrëzë malit të Dajtit, ku të rinjtë pjesëmarrës u ndanë në pesë grupe për t’u njohur më tepër me njeri-tjetrin.
Në vazhdim ata drekuan së bashku dhe pastaj, të ndarë sipas grupeve, diskutuan tematika të ndryshme të drejtuara nga studentët amerikanë. Të rinjtë ndanë përvojën e tyre të hyrjes në besimin e krishterë orthodhoks dhe çfarë i kishte tërhequr në besim. Mundësia për të ndarë përvojën e besimit i afroi të rinjtë më shumë me njëri-tjetrin dhe mësuan se si vazhdon udhëtimi shpirtëror në zona të ndryshme të vendit tonë.
Pas takimit në grupe, atë Luka drejtoi një bisedë të shkurtër me temë: “Të ripërtërihemi në besim dhe të jemi gati ta ndajmë Lajmin e Mirë me të tjerët”. Ndër të tjera ai theksoi: “Jeta është një udhëtim, dhe sado e gjatë të jetë, ky udhëtim një ditë do të përfundojë. Të gjithë do të dalim para Zotit e të japim llogari për mënyrën se si e jetuam jetën dhe çfarë bëmë me të. Dashuria e pafund e Zotit na thërret në gëzimin e jetës me të, prandaj nuk duhet të jemi neglizhentë në këtë thirrje. Adoleshentë e të rinj, të gjithë kujtoni që në udhëtimin drejt Zotit, vetëm dashuria është ajo që do ngelet në përjetësi”.
Me troparin e mrekullueshëm: “Cila Perëndi është aq e madhe sa Perëndia ynë…” dhe me mirënjohje për këtë program ripërtëritës dhe frymëzues, përfundoi ky takim një ditor dhe të rinjtë u larguan për në vendet e tyre për të vazhduar udhëtimin e tyre shpirtëror dhe me shpresën që do të takohen sërish.
Ata falënderuan atë Lukën për vizitën e tij në Shqipëri, për këtë mundësi të bekuar si dhe për organizimin e grupit të studentëve amerikanë, të cilët ndanë me të rinjtë shqiptarë përvojën e tyre të besimit.
Pasdite grupi studentor amerikan u takua me të rinjtë e Elbasanit dhe të rrethinave të tij, pjesëtarë të grupeve të katekizmit që zhvillohet në këto zona. Ky takim u organizua në bashkëpunim me katekistët e Zyrës së Katekizmit të Kryepiskopatës, që drejtojnë këto grupe katekizmi. Edhe këtu pjesëmarrja ishte e madhe, merrnin pjesë 60 të rinj.
Takimi u zhvillua në Manastirin e Hirshëm të Shën Joan Vladimirit, i cili përkoi dhe me Panairin dhe ditën e kremtimit të këtij shenjti. Edhe në këtë takim qëllimi ishte i njëjtë, ai i ripërtëritjes shpirtërore, i miqësisë, por edhe i ndarjes së përvojës të të rinjve shqiptarë e amerikanë.
Në vazhdim vijoi programin adhurues e kremtues i panairit të Manastirit, organizuar nga studentët e Akademisë Teologjike “Ngjallja e Krishtit” dhe Zyra e Katekizmit të Kryepiskopatës, duke shfaqur më pas dhe filmin dokumentar kushtuar Shën Joan Vladimirit dhe Akademisë Teologjike.
Zyra e Rinisë së Kryepiskopatës