Në datën 5 prill filloi punimet takimi ndërfetar me temë “Shtigjet e mirëkuptimit dhe dialogu: Kontributi i feve”. Ky takim u organizuar nga “Religions for Peace” dhe nga ECRL (European Council of Religious Leaders). Në këtë takim morën pjesë rreth 70 përfaqësues nga vende të ndryshme të botës, si: Franca, Belgjika, Gjermania, Anglia, Bosnja, Rumania, Polonia, Italia, Shqipëria, Bullgaria, Kyrzikistani etj. Pjesëmarrësit ishin nga besime të ndryshme.
    Shqipëria në këtë takim ishte përfaqësuar nga katër persona, dy nga komuniteti mysliman, një nga komuniteti orthodhoks dhe nga sekretari i përgjithshëm i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë.

     Mikpritja u organizua nga Bashkia e Roveretos dhe teatri i Trentos. Ata paraqitën një shfaqje të titulluar: “La cita invisibile” (Qyteti i padukshëm), e cila tregonte gjithë historinë e artit dhe punimeve artizanale të këtij qyteti.
     Të nesërmen vijuan takimet dhe referatet në përkujtim të Don Silvio Frankut, i ndarë nga jeta 10 vjet më parë. Programi vazhdoi me ndarjen në grupet e paracaktuara ku edhe u diskutua raporti i tre viteve të fundit dhe sfidat konkrete për të ardhmen. Aty u nënvizua fakti se drejtuesit fetarë kanë një rol shumë të rëndësishëm në jetën shoqërore të vendit dhe duhet të ngrenë zërin tek autoritetet vendim-marrëse për të mirën e shoqërive, e minoriteteve dhe njerëzve në nevojë.
    Në programin e datës 7 prill ishte edhe prezantimi i këshillave ndërfetarë të formuar në vende të ndryshme, ku ndër të tjera u prezantua edhe një video e krijimit të Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë. Në mbrëmje u dorëzuan diplomat e 15 studentëve të një programi studimesh online që ishte zhvilluar gjatë një viti me studentë nga disa vende të botës. Këto studime ishin fokusuar mbi diversitetin dhe kuptimin e çdo besimi fetar.
    Mbyllja e këtij aktiviteti ishte i veçantë, sepse u mbyll nën tingujt e kambanës së të rënëve, e cila ishte realizuar me bronzin e topave të luftës dhe ishte kthyer në tingullin dhe simbolin e paqes. Ajo binte 100 herë çdo mbrëmje në orën 21:30 si kujtim i të rënëve dhe thirrje për paqe në të gjithë botën.
Spiro Topanxha