Të Mërkurën e Madhe në mbrëmje besimtarët orthodhoksë u drejtuan në Kishë për të marrë pjesë në Misterin e Vajimit (Efqeli) i cili është një akt i shenjtë. Në këtë Mister ndërsa trupi lyhet me vaj, hiri i Perëndisë thirret të zbresë në personin e sëmurë.
    Misteri ka për qëllim shërimin e trupit dhe faljen e mëkateve.Kisha na ofron shërim trupor dhe shpirtëror nëpërmjet Misterit të vajimit. Ne mendojmë se nuk kemi nevojë për shërim në jetën shpirtërore, sepse nuk kemi bërë ndonjë mëkat të madh; s’kemi vrarë ose vjedhur… etj. Gjithashtu, nëse nuk kemi ndonjë sëmundje të dukshme, nuk mendojmë se jemi të sëmurë trupërisht. Por në fakt secili prej nesh është i sëmurë trupërisht edhe shpirtërisht. Si qenie njerëzore jemi krijuar nga Perëndia për të qenë në një marrëdhënie të përsosur dashurie më Të dhe me të gjithë njerëzit që kemi pranë. Kur bëjmë këtë gjejmë lumturinë e përsosur. Por në vend të kësaj ne gjejmë zgjidhjen e shkurtër për të qenë të lumtur, kujdesemi vetëm për veten tonë në vend që të duam Zotin dhe të tjerët. Kështu i shkaktojmë dhimbje dhe sëmundje vetes dhe komunitetit në të cilin jetojmë.
    Prandaj, kur vijmë në Kishë të Mërkurën e Madhe në mbrëmje, tregojmë që pranojmë që jemi të sëmurë dhe kemi nevojë për shërimin e Perëndisë.
 
 
Foto: Nathan Hope