Oborri i Kishës së Shën Prokopit, tek kodrat e Liqenit të Tiranës, të shtunën, më 12 maj ishte i mbushur me mbi 200 të rinj dhe te reja, anëtarë te kishave Orthodhokse, Katolike dhe të Vëllazërisë Ungjillore, pjesëmarrës në takimin ndërevropian “Së bashku për Evropën”. Ishte hera e tretë që organizohet ky takim, dy të mëparshmit janë zhvilluar ne vitet 2004 dhe 2007.  E veçanta e këtij  takimi ishte se njëkohësisht, në 150 qytete të Evropës, u zhvilluan aktivitete paralele, të cilat rreth orës 17:00 u bë një lidhje satelitore me Brukselin, në një takim qendror. Në gjithë Evropën morën pjesë mbi 300 lëvizje Orthodhokse, Katolike dhe Ungjillore.  Të rinjtë e mbledhur “Së bashku për Evropën” përsëritën në këtë veprimtari shtatë “Po”: Po, për jetën, për martesën dhe familjen, për natyrën, për një ekonomi te drejtë, për solidaritet me të varfrit dhe nevojtarët, për paqen, për përgjegjësinë tonë në shoqëri. Çdo qytet evropian kishte zgjedhur një temë. Tirana zgjodhi “Po, për natyrën”. Në këtë kuadër organizatorët në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës vendosën që të rinjtë pjesëmarrës të lyejnë një pjesë të koshave të vendosur anës rrugicave të parkut të Liqenit. Ata drekuan se bashku dhe në orën 15:00, zhvilluan një marshim,  me pankarta në duar ku ishin shkruar shtatë Po-të. Ai u zhvillua nga sheshi “Nënë Tereza” deri në qendrën e Vëllazërisë Ungjillore, ku edhe u krye takimi qendror i ditës.

    Në këtë takim u mundësua lidhja satelitore me takimin analog në Bruksel, prejt të cilit u përcollën disa mesazhe nga autoritete të ndryshme të krishterësh, ndër të tjerë edhe atyre politikë si e ish-presidentit të Komisionit Evropian Romano Prodi, ndërsa Presidenti i Komisionit Evropian Herman Fon Rompui përshëndeti nëpërmjet një videoje etj. Në vazhdim u shfaq një album fotografik për aktivitetet e paradites që u zhvilluan në 150 qytetet pjesëmarrëse, në fund nga të gjithë lëvizjet e krishtera evropiane një mesazh i përbashkët drejtuar Parlamentit Evropian. Në takimin e Tiranës, ishin të pranishëm edhe Kryepiskopi Anastas, Arqipeshkvi Rrok Mirdita dhe kryetari i Vëllazërisë Ungjillore z. Fitor Muçaj, të cilët përshëndetën të rinjtë dhe mbajtën referate rreth temës.
 
Luljeta Pjetri