Sa më shumë shtohen vitet që festojmë festat e besës sonë orthodhokse, aq më shumë shtohet zjarri i besës që mbush zemrat e besnikëve këto ditë të shenjta. Kjo ndodhi edhe me Krishtlindjet e sivjetme. Ndihej atmosfera në çdo familje të krishterë, dhe çdo person që takoje në ambientet e kishës të krijonte ndjesinë se përjetonte thellë faktin e trupëzimit të Perëndisë. Fjala u bë mish dhe qëndroi ndër ne!

    Brenda kësaj atmosfere u festuan Krishtlindjet edhe në qytetin e Vlorës. Një traditë spontane, por tepër e sinqertë dhe e bukur është krijuar këto vitet e fundit. Qindra njerëz, në shumicën e tyre të rinj, mbushin kishën e Shën Todrit në orën 12 të mesnatës me bindjen se do të jenë edhe ata si magët, aty, të parët, për t’iu falur foshnjës së porsalindur. Në përgjigje të dëshirës së këtyre besimtarëve Kisha jonë organizoi një lutje të shkurtër për të bërë më të ndjeshëm brenda tyre kuptimin e festës dhe mesazhin e saj.

     Mëngjesi i së shtunës sipas traditës filloi me Shërbesën e Mëngjesores dhe më pas me Meshën Hyjnore të cilat këtë vit u drejtuan nga Mitropoliti i Beratit,Vlorës,Kaninës dhe gjithë Myzeqesë, Imzot Ignati. Në kishën e mbushur plot me besimtarë u dëgjuan troparet e mrekullueshme të Krishtlindjes si edhe mesazhi i Mitropolitit për të kremten e madhe: Krishtlindje sot, të krishterë të dashur! “Krijuesi dhe Kryezoti i të gjithave” zbret në tokë dhe numërohet midis njerëzve. Tërë bota, pa gojë, pa zë ndjek ngjarjen. Bota shpirtërore me atë lëndore bashkohen, pasi Krijuesi thyen zinxhirët e të krijuarës dhe të pakrijuarës. Asgjëson distancën midis Krijuesit dhe krijesës. Pa reshtur së qeni Perëndi, hyjnizon njeriun me trupin që vesh.”

    Më pas, festa vazhdoi në ambientet e Mitropolisë ku ishte organizuar dhe pritja e rastit,në të cilën erdhën për të uruar Mitropolitin e Beratit dhe nëpërmjet tij gjithë orthodhoksët e Mitropolisë sonë, autoritetet vendore të qytetit, si Kryetari i Bashkisë z.Shpëtim Gjika i shoqëruar edhe nga nënkryetarët e Bashkisë, deputetët e Vlorës z.Ardian Kollozi dhe Eltar Deda. Urime për festën e Krishtlindjeve, Mitropoliti priti edhe nga përfaqësuesit e komuniteteve  të tjera fetare, si Myftiu i Vlorës z.Hito Sharra dhe Ipeshkëvi i Kishës Katolike Mons Hil Kabashi. Të pranishëm ishin gjithashtu Kryetari i këshillit bashkiak, drejtori i teatrit “Petro Marko”, përfaqësuesit e forcave të ndryshme politike e shumë personalitete të tjera të qytetit si edhe shumë besimtarë dhe qytetarë të thjeshtë.

     Falënderojmë Perëndinë që na bëri të denjë, të festojmë edhe Krishtlindjet e këtij viti, me paqe shpirtërore dhe me shpresën se Krishti që lindi në grazhdin e Betlehemit, do te pranojë të lindë edhe në zemrën e gjithsecilit prej nesh që ta  stolisë “shpellën” e shpirtit tonë, ta zbukurojë, ta veshi me prezencën e tij dhe t’i dhurojë bukuri dhe hir. Që të mbetet atje brenda dhe të lindet “në një të sotme” të përjetshme. Që të pushojë tashmë të jetë një “shpellë”, të bëhet Qiell! Amin.

Korrespondenti i Vlorës