Qendra Mjekësore Diagnostike “Ungjillëzimi” në Tiranë është pajisur kohët e fundit me aparatura të reja dhe bashkëkohore. Në kujdesin e Kryepiskopit Anastas, i cili interesohet dhe kujdeset vazhdimisht për cilësinë e shërbimit shëndetësor që ofrohet në këtë klinikë angazhohet që Kisha të ofrojë më të mirën për banorët e Tiranës dhe më gjerë. Këtij përkushtimi i janë shtuar së fundmi dy aparaturat bashkëkohore dhe modernë; Panorameksi dhe Elastografia.
Elastografia është e vetmja teknologji më moderne në Shqipëri, një dimension i ri i ekografisë. Si një metodë me ultratinguj për matjen e elasticitetit dhe ngurtësisë së indeve ajo zbatohet pothuajse për të gjitha organet në trupin e njeriut dhe është zgjerim i imazheve me ultratinguj dhe shton një dimension të ri në studimin e indeve. Elastografia çon në një biopsi virtuale, pra priret drejt diagnozës histologjike joinvazive, duke shtuar përveç informacionit të propozuar tashmë nga ekografia edhe informacion të ri për elasticitetin e indeve.
Gjithashtu, në ambientet e Klinikës gjendet edhe aparatura e re dhe më e fundit, Panoramex-i Dixhital, një teknologji bashkëkohore SIRONA ORTHOPHOS XG5 DS. Kjo aparaturë është grafia e gjithë gojës, ku dalin në pah dhëmbët (përfshirë edhe të pjekurisë), si dhe artikulacionet temporo-mandipulare. Shërben për të parë infeksionet e pranishme nëse ka, pozicionet e dhëmbëve, sidomos të dhëmbëve të pjekurisë kur ata dalin me vështirësi, po ashtu diagnostikohen artikulacionet dhe deri diku edhe sinuset.
Aparaturat e reja do të përdoren nga një personel i zgjedhur dhe i kualifikuar jashtë vendit, i përbërë nga akademikë, profesorë dhe mjekë të njohur, të cilët jo vetëm ndihmojnë pacientin të kurohet, por edhe krijojnë një ambient të ngrohtë dhe miqësor. Këto aparatura janë vënë në funksionim dhe në shërbimin e shumë njerëzve, të kryeqytetit dhe gjithë Shqipërisë, që tashmë kanë një mundësi më shumë për diagnostikimin e shpejtë dhe të sigurt.
Isidor Koti