KODIKU I KORÇËS NR. 93
Katërungjillëshi i shek. X.

    Trashëgimia Orthodhokse në Shqipëri është jashtëzakonisht e pasur dhe e larmishme, sa shpirtërore aq edhe e mbushur me dëshmi materiale mahnitëse. Ajo nis që nga shekujt e parë pas Krishtit, kur pati një kthim masiv në të krishterë e deri në ditët tona. Një dëshmi e tillë është edhe Kodiku i Korçës nr. 93, i shek. X, një nga 100 dorëshkrimet bizantine dhe pasbizantine të ruajtura në Arkivin Qendror Shtetëror. 

    Me kontributin e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, e Shoqërisë Biblike Ndërkofesionale të Shqipërisë dhe e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë, u bë i mundur realizimi i botimit të plotë dhe besnik (faksimile) të Kodikut të Korçës 93. Kopja faksimile shoqërohet nga një studim shterues i kodikut si edhe nga transkriptimi paleografik i Ungjillit sipas Lukës dhe përkthimi gjegjës në shqip. Çdo kopje origjinale mban numrin e serisë si edhe certifikatën e autenticitetit. Dy autorët që punuan për studimin e plotë dhe përgatitjen cilësore të këtij botimi janë historiani-paleografi z. Andi Rëmbeci nga Fakulteti i Historisë i UT, dhe paleografi z. Sokol Çunga nga Arkivi Qendror Shtetëror. Përkujdesja shkencore u krye prej profesorit Agamemnon Celikas, një personalitet i shquar i paleografisë bizantine në rang botëror. Në krahasimet studimore rreth dekorimit të kodikut një kontribut të vyer dha studiuesi i artit bizantin në Akademinë e Shkencave të Athinës, Dr. Joan Vitalioti. Ky botim kishte si qëllim njohjen e publikut të gjerë, shqiptar dhe të huaj, me vlerën e jashtëzakonshme që kanë dorëshkrimet shumëshekullore, të cilat ruhen në vendin tonë. Ky kodik, si një ndër më përfaqësuesit e kodikëve mesjetarë në Shqipëri, përbën një thesar të paçmuar historik, kulturor dhe shkencor, përsa i përket gjurmëve historike të banorëve të vendit, fateve, marrëdhënieve dhe arritjeve të tyre në një udhëkryq të rëndësishëm historik, siç është shek. X. 

    Veprimtaria e promovimit të botimit faksimile të kodikut një mijë vjeçar u krye pasditen e datës 16 dhjetor 2012, në mjediset e Qendrës Kulturore të Katedrales së re Orthodhokse në Tiranë. Të pranishëm në këtë eveniment ishin Kryepiskopi i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë, prof. dr. Anastasi, anëtarë të Sinodit të Shenjtë, Ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit dhe të Komunikimit, z. Genc Pollo, deputetë, ambasadorë, historianë, intelektuale të njohur, klerikë dhe shumë të ftuar të tjerë.

    I pari i përshëndeti të pranishmit Kryepiskopi Anastas, i cili e cilësoi këtë botim si shumë të rëndësishëm në promovimin e thesareve kulturorë të Krishterimit në vend. Ndër të tjera ai theksoi se kodikët e Shqipërisë dhe konkretisht Kodiku i Korçës 93 “përbëjnë prova të pakundërshtueshme se Kisha Orthodhokse e Shqipërisë ka qenë pjesë e krijimtarisë së gjerë artistike të Bizantit dhe se ka ruajtur dëshmi me vlera unikale për kulturën e gjithë rruzullit… Ky dorëshkrim i shkëlqyer jo vetëm përbën një dritare që na tregon krijimtarinë e së shkuarës, por njëkohësisht ofron dritë jetëbërëse në të tashmen, duke ringjallur shpresën për vazhdimin e krijimtarisë artistike dhe kulturore të Kishës sonë edhe në të ardhmen”. 

    Në vijim, e mori fjalën Drejtorja e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, prof. dr. Nevila Nika, e cila pasi falënderoi autorët dhe të gjithë ata që kontribuuan në realizimin e këtij botimi të veçantë, theksoi se “një botim i tillë… është i pari në historinë e botimeve dokumentare në Shqipëri, i përgatitur nga autorë dhe institucione vendase. Botimi i këtij kodiku, si një prej më përfaqësuesve në rang botëror të asaj veprimtarie intelektuale të spikatur gjatë njërës prej periudhave më të lulëzuara të kulturës së Bizantit, kontribuon në risjelljen në qendër të vëmendjes e vlerave kulturore dhe materiale në dobi të shoqërisë së sotme, si kontribut në përparimin e saj”.

    Pas kësaj, veprimtarinë e përshëndeti Sekretari i Përgjithshëm i Shoqërisë Biblike Ndërkofesionale të Shqipërisë, z. Altin Hysi, i cili vuri në dukje se “qëllimi i botimit synonte në theksimin dhe nxjerrjen në pah të një vlere të mrekullueshme, siç është prania e Shkrimit të Shenjtë në mjediset shqiptare që në kohët e hershme”. 

    I pranishëm në këtë promovim ishte edhe studiuesi i mirënjohur në kulturën monumentale bizantine, prof. dr. Aleksandër Meksi. Ai bëri një paraqitje të botimit faksimile të Kodikut të Korçës 93, duke theksuar vlerat poliedrike të këtij monumenti të fjalës së shkruar nëpërmjet paraqitjes analitike të studimit shkencor të autorëve që shoqëron këtë botim. Në mbyllje të fjalës së tij, profesor Meksi vuri në dukje se “nisma për botimin tërësor të katërungjillit të Korçës në faksimile, transkriptimin, studimin përkatës dhe përkthimin në gjuhën shqipe, duhet të vlerësohet si një ngjarje kulturore me rëndësi të veçantë, që duhet të pasohet me të tjera të kësaj natyre”. 

    Paleografi dhe bizantinologu i mirënjohur profesor Agamemnon Celikas, i ardhur enkas nga Athina për këtë eveniment, veç të tjerash nënvizoi se “ky botim, veç rëndësisë së vet shkencore, është edhe një veprim simbolik për promovimin e monumenteve të krishterimit në Shqipëri, por edhe në përgjithësi të botës së krishterë”. 

    Në fund fjalën e mori z. Andi Rëmbeci, i cili në emër të dy autorëve të këtij botimi, theksoi se mesazhi parësor i kodikëve është pikërisht ky: dituria, vlera dhe e bukura duhen shpërndarë, ndryshe ç’vlerë kanë? Në vijim të fjalës së tij, z. Rëmbeci shprehu në emër të autorëve mirënjohjen ndaj tre Institucionet që me mbështetjen e pakursyer të tyre bënë të mundur realizimin e kësaj vepre, Kryepiskopin Anastas dhe pjesëtarët e nderuar të panelit, të cilët me praninë dhe fjalët e tyre vlerësuese dhe inkurajuese i dhanë vlerën e duhur kësaj nisme si edhe ndaj të gjithë të pranishmëve për pjesëmarrjen e tyre. 

    Promovimi u shoqërua nga kori bizantin “Shën Joan Kukuzeli”, i cili nën drejtimin e z. Theodhor Peci interpretoi tre pjesë korale bizantine në shqip, të shkëputura dhe përkthyera nga teksti i Kodikut të Korçës 93 dhe të melodizuara enkas për këtë eveniment. Gjithashtu, me zërat koral u gërshetuan edhe pjesë të zgjedhura instrumentale, të cilat u ekzekutuan nga kuarteti i Radios “Ngjallja”.
 
Andrea (Andi) Rëmbeci