Kori bizantin i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë “Shën Joan Kukuzeli”, me bekimin dhe përkujdesjen e veçantë të Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit Anastas, interpretoi himne e psalme për Krishtlindje, në 20 dhjetor, në Katedralen “Ungjillëzimi i Perëndilindëses”, në Tiranë. “Po lindet Krishti”, titullohej koncerti me muzikën e bukur bizantine, muzikën e engjëjve, muzikën e shën Joan Kukuzelit dhe Krisanthit, ish- Kryepeshkopit të Durrësit, muzikën e qytetërimit të krishterë, muzikën që bashkon tokësoret me qielloret, muzikën që u kultivua pikërisht në Kishë.
Qindra besimtarë, nxënës e studentë të ardhur nga disa qytete të Shqipërisë, morën pjesë në këtë eveniment të shumëpritur. Repertori përfshinte 8 pjesë muzikore, të krijuara nga kompozitorë të periudhës bizantine, pasbizantine dhe deri tek ata të shek. XX, të cilat u paraqitën para besimtarëve për gati 60 minuta. Veçantia e këtyre pjesëve muzikore konsistonte në faktin se pjesët janë sjellë për herë të parë në gjuhën shqipe dhe u interpretuan brenda stilit autentik të artit psaltik të Bizantit. Nën drejtimin profesional të z.Theodhor Peci, koncerti u paraqit me dinjitet dhe la shije pozitive te publiku i pranishëm, i cili pa me kërshëri të ardhmen premtuese të kësaj muzike dhe kutlivuesve të saj në vendin tonë. Koncerti tregoi vazhdimësinë e një pune serioze në përputhje me normat dhe studimet shkencore muzikologjike bizantine si dhe shqipërimin, plotësimin dhe evidentimin e pasurisë së muzikës kishtare bizantine në gjuhën e bukur shqipe. Kori u themelua nga arkimandrit Justin Anthimiadhi dhe aktivitetet e tij nuk janë përqëndruar vetëm në realizimin e shërbesave fetare, por dhe në koncerte e shfaqje në gjithë Shqipërinë. Sipas organizatorëve të koncertit, ky kor ka arritur të bëjë të mundur dhe inçizimin e shtatë kasetave dhe CD-ve me himne dhe shërbesa të ndryshme fetare. Në fund të koncertit, përshëndeti edhe Kryepsikopi Anastas, i cili shfaqi entuziazmin e tij për punën e shkëlqyer të korit bizantin, duke premtuar se së shpejti, në projektet e Kishës është krijimi i një shkolle të veçantë për mësimin e muzikës bizantine.
Isidor Koti