Të gjithë ne përjetuam në ditët që lamë pas pësimet e Shenjta, shpëtimtare dhe të tmerrshme të Zotit, Perëndisë dhe Shpëtimtarit tonë Jisu Krisht. Gjatë kryqëzimit të Tij të shenjtë përjetuam pështyrjet, shuplakat, rrahjet, sharjet, përqeshjet, rrobën e kuqe, kallamin, sfungjerin, uthullën, gozhdët, shtizën, dhe para së gjithash kryqin dhe vdekjen, të cilat i duroi për ne duke dashur; bashkë me këto dhe rrëfimin shpëtimtar të kusarit mirënjohës që u kryqëzua me Të. Ishim të pranishëm shpirtërisht në përkujtimin e varrimit të Hyjtrupshëm të Zotit dhe Shpëtimtarit tonë Jisu Krisht si dhe të zbritjes së Tij në Ferr, me anën e të cilave qenia jonë u thirr prej prishjes dhe vajti te jeta e amshuar. 
    Këto momente janë tepër madhështore, por bëhen edhe më tepër emocionuese nëse ndjek hap pas hapi shërbesat e shenjta të Javës së Madhe, ngjarjet tronditëse të cilat na drejtuan në Ngjalljen e Zotit. Dhe padyshim ishin të shumtë shpresëtarët beratas, të cilët përjetuan këto ngjarje nëpërmjet Shërbesave të Shenjta në dy kishat e qytetit, në kishën katedrale të Shën Dhimitrit si edhe në kishën e Shën Spiridhonit.
    Java e Madhe, e cila filloi me Shërbesat e Dhëndrit arriti kulmin e saj në ditët e fundit, ku njëra pas tjetrës u kremtuan Kryqëzimi, varrimi dhe para së gjithash Ngjallja e Zotit dhe Shpëtimtarit tonë Jisu Krishtit. Çdo ditë ishte një emocion më vete: dita e kryqëzimit, ku u pa i kryqëzuar mbi dru, Ai që varri dhenë mbi ujërat; Varrimi i Hyjshëm, ku për t’u theksuar ishin himnet e vajtimeve, të cilat u kënduan nga koret e besimtarëve, si dhe parakalimi madhështor i Epitafit të Shën Dhimitrit dhe Shën Spiridhonit, në bulevardin kryesor të qytetit i ndjekur nga një kortezh i madh besimtarësh.
    Pas përjetimit të mundimshëm i erdhi radha natës ngadhënjimtare të Ngjalljes. Besimtarë të panumërt kishin ardhur për të dëgjuar lajmin shpëtimtar se “Krishti u Ngjall”. Pas thirrjes së Kryebariut për të marrë Dritën që nuk Perëndon të gjithë iu drejtuan sheshit përpara katedrales. Pikërisht përballë me kishën u dha dhe lajmi nga Imzot Ignati se “Krishti u Ngjall”! Mbi podiumin e ngjalljes u lexua dhe mesazhi i Imzot Ignatit drejtuar klerit dhe besimtarëve shpresëtarë, në të cilin ndër të tjera theksohej:
    “E diela e Pashkës është dita e Ngjalljes. Në këtë dite u ngjall Jisui. Të gjitha masat e jashtëzakonshme, që morën kryepriftërinjtë dhe farisenjtë nuk sollën asnjë rezultat. As ushtarët rojtarë që u dha prijësi romak, Ponti Pilat, as guri i madh me të cilin kishin siguruar varrin”, dhe asgjë tjetër nuk ishte e aftë të pengojë Ngjalljen e Zotit.
    Në të kremten e ngazëllueshme mbarëbotërore duhet të marrë pjesë i gjithë njeriu. E tërë ekzistenca e njeriut të jetë e pastër. Të ngjallet Krishti së pari në mendjen e njerëzve, Kjo do të thotë, të pranohet Ngjallja e Krishtit. Ta besojë e gjithë bota. Të gjithë njerëzit.
    Dhe, së dyti, nuk mjafton vetëm që njerëzit të besojnë tek i Ngjalluri, por dhe ta duan fort. Me një dashuri, që nuk mund ta trondisë asnjë fuqi. As thikat, as shpatat. Asnjë kërcënim. Asnjë lloj mashtrimi. Të munden të thonë atë që thoshte shën Pavli, ndaj të cilit, Krishti i Ngjallur, “me në fund nga të gjithë iu shfaq edhe atij” (I Kor. 10:8). që të mundet të thotë nga përvoja e tij: “Cili do të na ndajë nga dashuria e Krishtit? Shtrëngim, apo ngushtim, apo vdekje, apo zi, apo lakuriqësi, apo rrezik, apo thikë?” (Rom. 8:35-39).
   Vëllezërit e mi të dashur me Krishtin. Ngjarjet do të mbushin artikujt e gazetave, programet e kanaleve radiotelevizive dhe faqet e historisë njerëzore. Në këto ngjarje do të kalojnë emra të ndryshëm. Do të përmenden faktorë të ndryshëm. Ndoshta vetëm një emër nuk do të përmendet: Emri, Jisu Krisht. Sa besojmë tek i Ngjalluri dhe Zoti që qëndron gjithmonë bashkë me ne, le të mos ngurojmë të shpallim: Jisu Krishti ishte, është dhe do të jetë protagonisti i ngjarjeve të jetës dhe të botës sonë. Ai, që përpiqet, bashkë me ne dhe pranë nesh, deri në fund të shekujve, e drejton gjithë njerëzimin ne Mbretërinë e Tij, “që ne emrin e Jisuit të përkulet çdo gju dhe çdo gjuhë të rrëfejë se Jisu Krishti është Zot, për lavdi të Perëndisë Atë” (Fil. 2:10-11), përdëllimi i paanë i të Cilit qoftë mbi ju të gjithë.
    “Krishti u Ngjall”
    Kjo natë e paharruar u mbyll si gjithmonë me dhënien e Kungatës Hyjnore për të gjithë shpresëtarët dhe besnikët e Zotit Krisht.
    Dita e Ngjalljes vazhdoi me të njëjtën madhështi dhe në shërbesën e Mbrëmësores së Dashurisë, në të cilën Ungjilli u lexua në gjashtë gjuhë të ndryshme. Pas Shërbesës së Dashurisë, në Mitropolinë e Beratit u organizuan pritjet e rastit, në të cilën erdhën dhe uruan përfaqësues të pushtetit qendror  e vendor. Përfaqësues të komuniteteve fetare, si dhe besimtarë të shumtë.
 
Joan Qako