Nuk ka asnjë prift orthodhoks autonom, që nuk ka lidhje me një episkop lokal

    E nderuar redaksi e Gazeta Shqiptare, ne që po ju shkruajmë, kemi qenë ndër studentët e parë të Seminarit Orthodhoks dhe ndër klerikët e parë të dorëzuar. Të çuditur dhe të revoltuar nga ato që po lexojmë në gazetën tuaj, duam edhe ne të themi fjalën tonë të përgjegjshme.


    Në përgjigjet e tij të përçartura në Gazeta Shqiptare, N. Marku, duke u përpjekur të fshehë mashtrimet, vazhdon të kalojë nga gafa në gafë. Kështu, në përgjigjen  e tij konfuze, ai (ri)botoi një vendim gjykate të 30 dhjetorit 1996, me nr. 2634, për të mbështetur tezën se është njohur si Kishë! Por është po ky dokument që e nxjerr në shesh të vërtetën, që ishte vënë në dukje më parë në deklaratën e Kryepiskopatës së Hirshme: Gjykata e ka njohur vetëm si shoqatë që ka të drejtën e ushtrimit të aktivitetit privat në lëmin e tregtisë të shitjes me shumicë dhe pakicë dhe nuk e njeh aspak si Kishë (me bazë ligjin 7512, 11. 8. 1991)…

    Në përpjekjen e kotë që të faktojë se është prift kanonik orthodhoks, boton një dokument lëshuar nga episkopi i një vendi fqinj. Por, sërish, po ky dokument e bën të qartë se nuk është i tillë: N. Marku u dorëzua nga një episkop sllav për episkopatën e tij dhe jo për Elbasanin. Episkopi i Bitolës (Manastirit) kishte dhe ka të drejtë të dorëzojë priftërinj vetëm për episkopatën e tij dhe në asnjë rast për ndonjë episkopatë apo Kishë tjetër.

    Dhe, që një klerik të transferohet në një episkopatë tjetër (dhe aq më shumë në një Kishë tjetër), duhet të kryhet një procedurë sipas Kanoneve të Kishës Orthodhokse. Ai duhet të pranohet nga episkopi i episkopatës tjetër. Në asnjë rast nuk mund të ketë një prift orthodhoks (sikundër edhe asnjë prift katolik), që nuk varet nga episkopi i zonën përkatëse, siç edhe e ka qartësuar Kryepiskopata në deklaratën e saj të fundit.

    Ndoshta “superpatrioti” Nikolla Marku dhe grupi i tij që s’ka lidhje me Orthodhoksinë, kanë vendosur që kisha famullitare e të Tërëshenjtës Mari, të lagjes Kala të Elbasanit të  zhvendoset në Bitola, në juridiksionin kishtar të Kishës sllave të shtetit fqinj?!

    Më tej, N. Marku, për të treguar se “ka përfunduar” seminarin e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, në vend të dokumentit zyrtar, diplomës, nxjerr përpara lexuesve deklaratën e një bashkëseminaristi, i cili edhe ky nuk i përfundoi studimet, sepse u vetëlargua para se t’i mbaronte, që në vitin 1992. Mendoni pak dikë që thotë për veten se ka mbaruar për jurist dhe në vend të paraqesë diplomën e lëshuar nga universiteti, nxjerr një deklaratë të një bashkënxënësi, se për një farë kohe ndoqën të dy bashkë leksionet!…  Ne që kemi qenë bashkëseminaristë me të, e mbajmë mend se që në fillim në seminar më shumë nuk vinte, se  “e dëmtonte lagështia e detit”, derisa  u largua fare dhe nuk e mbaroi, për shkeljet që i dimë shumë mirë ai dhe ne….

    Ndërsa dokumentet që boton, të lëshuara nga sekretari i atëhershëm Aleko Dhima, tregojnë vetëm se punonte si katekist në Elbasan deri në vitin 1994 (dhe jo se kishte mbaruar seminarin dhe as se ishte klerik). Madje, kjo tregon se N. Marku në vitet e para nuk kishte kurrfarë problemi me origjinën e Kryepiskopit.

    Gjithashtu, N. Marku përpiqet të bëjë edhe “teologun”, duke shpjeguar statutin e Kishës. Statuti i vitit 1929, që ai paraqet, ishte hartuar për epokën kur Shqipëria ishte mbretëri. Kur ra mbretëria dhe Shqipëria u bë Republikë edhe Statuti duhej t’i përshtatej këtij ndryshimi. Kështu, pas hartimit të Kushtetutës së re demokratike, në vitin 1998, u hartua një statut i ri, i cili përcaktonte marrëdhëniet e reja me Republikën. Për këtë arsye, ky Statut i ri u miratua edhe nga organet kompetente shtetërore dhe gjykatat (si Kuvendi i Republikës, Këshilli i Ministrave, Presidenti i Republikës). Ai u bë Ligj i Shtetit, nr. 10057,dt. 22.1.2009.

    Deklaratat e Kryepiskopatës qartësojnë faktet kishtare dhe zbulojnë, sipas detyrimit që Kisha ka përpara opinionit publik, përdhosjen dhe mashtrimin, që është kryer gjatë gjithë këtyre viteve. Ndaj, për të mbuluar këto fakte, N. Marku, duke e ditur se nuk ka argumente kishtare, përdor në mënyrë spekulative, pyetje retorike, politike dhe populiste dhe shpifje të ulëta, pjellë e fantazisë së tij të sëmurë dhe i përsërit ato në mënyrë monotone, me shpresën se diçka do mbetet.  Ndaj e quajtëm me vend të sjellim këto argumente, që qartësojnë mashtrimin e tij, që të njohim lexuesin me të vërtetën.

Protopresviter Jani Trebicka,
Kryesekretar i Sinodit të Shenjtë
Ikonom Stavrofor Joan Koroveshi
Dt. 29.08.2012