Të martën, më 10 maj te Qendra Studentore e Kishës Orthodhokse u zhvillua trajnimi me temë, “Ndihma e parë” i zhvilluar nga Kryqi i Kuq Shqiptar. Në këtë trajnim morën pjesë anëtarë të stafit të Zyrës së Fëmijëve dhe studentë të Qendrës Studentore. Trajnimi u zhvillua nga dhe u organizua në kuadër të nevojave të ndryshme që dalin gjatë zhvillimit të aktiviteteve me fëmijë dhe të rinj.
    Të pranishmit u pajisën me një manual përkatës të përgatitur nga Kryqi i Kuq, i cili mbështetej në udhëzimet e reja të Këshillit Evropian të shpëtimit të jetës për ndihmën e parë jetësore.
 
    Pasditen e po asaj dite studentët patën bekimin të kenë te Qendra e tyre Studentore atë Jani Trebickan. Ai u foli studentëve për disa ngjarje të jetuara në vitet e para të rihapjes së Kishës dhe lirisë së besimit. Ndër të tjera ai theksoi që duhet të jemi të hapur për të ofruar veten dhe shërbimin tonë në nevojat e Kishës “Tani jemi të lirë ta ndjekim ose jo Krishtin, vitet më përpara ishin më të vështira sepse të futnin në burg, të persekutonin, etj. Madje edhe mundësitë tani janë më të shumta, sepse nuk mungon as liria, as njohuritë, as mundësitë, mjafton të dëshirosh ta ndjekësh Zotin”, theksoi atë Jani.

     Ndërsa në pjesën e dytë të bisedës atë Jani u përqendrua te Misteri i Pendim-Rrëfimit të Shenjtë. Me fjalën e tij ai theksoi se: Të gjithë ne duhet të kemi një drejtues në jetën tonë shpirtërore në mënyrë që të rritemi në Krishtin. Njerëzit kryejnë Misterin e Pagëzimin, Mirosjes dhe Kungimit, por misterin e Rrëfimit e lënë pas dore. Misteri i Rrëfimit na ripërtërin hirin e Pagëzimit dhe nuk lejon që të jetojmë jetën me shpirt të nxirë. “Ky Mister, – theksoi aiështë bazuar në Shkrimin e Shenjtë, ku vetë Zoti i porosit Apostujt, që ç’të lidhni në tokë do të jetë e lidhur dhe ç’të zgjidhni do të jetë e zgjidhur”.