Shkolla e mesme profesionale “Apostull Pavli”, në fshatin Mesopotam të Delvinës, sivjet pati prurje të shumta nga emigracioni, ku të rinj të kthyer në Shqipëri si rezultat i krizës ekonomike në Greqi, kanë nisur studimet në këtë institucion edukues të Kishës sonë.
Lajmi më i veçantë vjen nga shkolla shqiptaro-amerikane “Protagonistët” në Tiranë, e cila për herë të parë çeli gjimnazin, në vazhdimësi të përvojës zinxhirr dhe disavjeçare të shkollës 9-vjeçare. Deri tani ka interes të lartë të nxënësve për të frekuentuar vitin e parë. Edhe shkollat e tjera të themeluara nën përkujdesjen dhe mbështetjen e gjithanshme të Kryepiskopit Anastas i hapën dyert për nxënësit me të gjitha pajisjet didaktike dhe stafin profesional.
Kisha jonë e Shenjtë Orthodhokse i kushton shumë rëndësi misionit edukues për të gjitha grupmoshat. Me ndihmën dhe fondet e mbledhura nga Kryepiskopi Anastas, në të gjithë Shqipërinë ndër vite janë hapur shkolla të ndryshme, ku vlen të përmendim: shkollën 9-vjeçare dhe liceun shqiptaro-amerikan “Protagonistët”, në Tiranë, shkolla tjetër 9 vjeçare shqiptaro-greke “Frymë Dashurie”, pranë kishës së shën Gjergjit, Durrës dhe Gjirokastër, shkolla e mesme kishtare “Kryqi i Nderuar” në Gjirokastër dhe në Sukth të Durrës, shkolla e mesme profesionale “Apostull Pavli”, në fshatin Mesopotam të Delvinës.
Isidor Koti