Zyra e Katekizmit e Kryepiskopatës së Shenjtë, me bekimin e Krepiskopit Anastas dhe me mbikëqyrjen baritore të Episkopit të Apolonisë, Hirësi Nikollës, filloi aktivitetin e katekizmit në sezonin e ri 2011-2012, në Tiranë, Elbasan, Librazhd, Peqin, Kavajë, Durrës dhe zonat përreth.
   Katekistët aktualisht punojnë në rreth 20 zona, duke takuar çdo javë 800 katikumenë të moshave të ndryshme, si të rinj ashtu edhe të rritur. Katër klerikë dhe gjashtë laikë, të cilët kanë studiuar në Akademinë Theologjike Orthodhokse, shpërndahen nëpër të gjitha zonat për të përhapur fjalën e Perëndisë dhe për të afruar njerëzit pranë besimit.
    Zyra përballon një punë të vazhdueshme për kryerjen gjithnjë e më cilësore dhe zgjerimin e mësimit të katekizmit besimit orthodhoks, duke i dhënë rëndësi kualifikimit të vazhdueshëm të çdo katekisti dhe duke nxjerrë materiale të reja për të qenë më afër katikumenëve, p.sh përkthimi i librave, emisione në radion “Ngjallja” etj.
    Aktualisht po kryhet një punë intensive për nxjerrjen e disa filmave dokumentarë me DVD, si ato të dubluara, por edhe prodhime të vetë stafit. Së shpejti, kjo Zyrë do nxjerrë në qarkullim serinë me 10 dokumentarë filmikë, ku jepet një ndihmë e madhe për të gjithë ata që duan të kenë njohuri mbi Besimin e Krishterë Orthodhoks.
 
Isidor Koti