Më datën 3 tetor, Akademia Teologjike “Ngjallja e Krishtit” nisi vitin e ri akademik 2011-2012.  Këtë vit u ulën për herë të parë në bankat e kësaj shkolle 14 studentë të rinj.
    Dita e parë e shkollës nisi me shërbesën e Ajazmës, për një fillim të mbarë të vitit akademik, për përparimin intelektual dhe shpirtëror. Shërbesa lutësore u kryesua nga Nëndrejtori i Akademisë Teologjike, Hirësia e Tij, Episkopi i Apollonisë, Imzot Nikolla. Në të merrnin pjesë pedagogë, studentë dhe punonjës të administratës.
    Në fjalimin e rastit, Hirësia Nikolla, pas urimeve të përzemërta që përcolli për studentët e rinj dhe për të gjithë pjesëtarët e kësaj Akademie, ndër të tjera theksoi: “Duke ju përcjellë fjalët e Fortlumturisë së Tij Kryepiskopit Anastas ju them se Akademia Teologjike është nga të paktat shkolla ku mësohet për Perëndinë. Jo vetëm kaq, por më e rëndësishmja është se jo vetëm mësohet, por edhe jetohet me Perëndinë. Veçantia e kësaj Akademie është se ndërthuret dija me jetën shpirtërore, gjë e cila konsiston në përpjekjen dhe përgjegjësinë për të vendosur secili nga një gur në këtë themel që është Akademia Teologjike”.
    Studimet në këtë Akademi zhvillohen në një cikël mësimdhënieje prej 4 vjetësh, duke iu dhënë mundësi studentëve të marrin një formim sa më të plotë teologjik dhe të përgatiten për të qenë bashkëpunëtorë në jetën dhe veprimtarinë e Kishës Orthodhokse. Akademia Teologjike ka nisur funksionimin e saj në shkurt të vitit 1992 si Seminar Hieratik-Teologjik, është institucioni më i lartë arsimor teologjik në Shqipëri, themeluar nën përkujdesjen, financimin dhe mbështetjen e gjithanshme të Kryepiskopit Anastas.