Çdo mëngjes, nëse keni kohë të ndizni radion ose të hapni televizorin, do vini re se midis shumë rubrikash, gjendet edhe kalendari enciklopedik. Folësi lexon me kujdes emra personalitetesh, data të rëndësishme në kujtesën historike, ngjarje të spikatura, etj. Të bën përshtypje mungesa e vëmendjes ndaj emrave dhe veprimtarive të rëndësishme fetare (të cilat për fat të keq nuk i kanë renditur si kontribut në zhvillimin e vendit). Së paku, mund të nënvizojnë ngjarje dhe emra shumë të njohur për popullin shqiptar, nga shenjtorët dhe martirët shqiptarë të Kishës sonë, që për fat të mirë i kemi të shumtë. Ne si besimtarë, i nderojmë ata në të kremtet e tyre, por është për të ardhur keq që në kalendarët historikë, ata nuk përmenden, duke mos respektuar personalitetin e tyre shumëdimensional. Ka një arsyetim absurd nga ata që i formulojnë këta kalendarë enciklopedikë, ngaqë sipas tyre, janë kalendarë laikë.
Por edhe kjo tezë bie, sepse Kisha nuk nderon vetëm klerikët, por edhe laikët që kanë dhënë jetën e tyre për besimin dhe për të mirën e njerëzimit. Veprimtaria e tyre sociale dhe humane është respektuar ndër breza nga populli i thjeshtë, madje vazhdon ende të jehojë jo vetëm në traditën e shkruar. Përmendja e emrave të tyre dhe e kontributeve që kanë dhënë nuk është “nder” që i bëhet Kishës Orthodhokse, sepse në të vërtetë Kisha dhe besnikët e saj nuk kanë nevojë për favore të kësaj natyre, përderisa i shërbejnë interesit të Perëndisë dhe jo opinionit njerëzor. Por është detyrë dhe përgjegjësi morale dhe etike, sigurisht edhe historike e enciklopedike, që mbarë shqiptarët, pavarësisht besimit fetar përkatës, të njihen me të vërtetat e lëna mënjanë, me ose pa dashje.
Isidor Koti