Të rinj orthodhoksë të ardhur nga Elbasani, Kavaja, Durrësi dhe Tirana, u mblodhën në dt. 29 shtator në qendrën shpirtërore-arsimore “Thavor”, për të takuar dhe për të ndjekur nga afër dy referatet e Mitropolitit të Diokleas, nga Britania e Madhe, Hirësi Kalistos Ware. Pjesëmarrja e Hirësi Kalistos konsiderohej një bekim i veçantë në Shqipëri, pasi fjalimet e tij dhe përvoja shpirtërore janë të njohura në mbarë botën orthodhokse.  Mitropoliti i Diokleas foli gjatë dy temave të këtij takimi për rëndësinë e lutjes, duke vlerësuar se lutja është marrëdhënie e përhershme me Perëndinë. Ai theksoi se të lutesh do të thotë të qëndrosh para Perëndisë, të jesh me mendje në zemër dhe të qëndrosh derisa të mbarosh jetën. “Lutje do të thotë të dëgjosh Perëndinë në një dialog personal. Lutja e Jisuit është shumë e dobishme kur je i dëshpëruar, ose kur ke dhimbje trupore. Gjeni Jisuin në heshtje, gjeni Jisuin kudo” – tha gjatë fjalimit Mitropoliti. Të rinjtë orthodhoksë bënë pyetje rreth përqendrimit dhe kohës së lutjes, duke u ndalur edhe tek disa probleme sociale të kohës, veçanërisht ndikimit të teknologjisë dhe epokës së re të internetit. Hirësi Kalistos iu bëri thirrje të rinjve të jenë përzgjedhës të mirë dhe vigjilentë në jetën e tyre, duke reflektuar gjithmonë Krishtin dhe jo imazhin e botës.

    Pak ditë më parë ai kishte po një takim të tillë edhe me punonjësit e disa zyrave nga të katër dioqezat e vendit që merren me katekizmin e fëmijëve, të rinjve dhe më gjerë.