O Shpirt i Shenjtë, falna frymë të re dhe fuqi!
Do të merrni fuqi, kur të vijë Shpirti i Shenjtë mbi ju” (Vep. 1:8)
 
 
    Premtimi i Krishtit të Ngjallur para Ngjitjes së Tij në Qiell, u realizua në ditën e Pentikostisë, me dy forma fuqish: me oshtimën e një ere, “që fryn me fuqi” dhe “me gjuhë si prej zjarri”. Ardhja e Shpirtit të Shenjtë kapërcen çdo lloj mundësie përshkrimi (prandaj edhe Ungjillori Lluka përdor fjalët “si” dhe “porsi”). Era e fortë ripërtërin plotësisht tërë atmosferën, krijon klimë të re dhe ofron një ambient jetëprurës frymëmarrjeje e zhvillimi. Sikurse kjo energji “mbushi të gjithë shtëpinë që ishin duke ndenjur”, nxënësit zhyten brenda saj, pagëzohen në këtë energji hyjnore, siç e kishte paralajmëruar Zoti. “Ju do të pagëzoheni me Shpirt të Shenjtë, jo shumë ditë pas këtyre” (Vep. 1:5). “Gjuhët si prej zjarri” simbolizojnë formën e fuqisë tjetër. Bëhet fjalë për një shfaqje të energjisë së pakrijuar të Perëndisë. Zjarri djeg, ngroh, ndriçon. “Si” zjarr, Shpirti i Shenjtë vepron brenda botës, duke djegur çdo gjë që është e pavlerë dhe e rrezikshme, duke ngrohur, duke ngushëlluar, duke fuqizuar. Shpirti i Shenjtë do të mbetet kurdoherë burimi i ndriçimit, duke zbuluar të vërtetën për misterin e Trinisë së Shenjtë, por edhe të ekzistencës njerëzore.

    Shpirti i Shenjtë vjen në një çast kur “ishin të gjithë me një zemër në një vend” (Vep. 2:1), gjatë një të kremteje falënderimi, në Pentikosti. Vjen në mbledhjen e besimtarëve – ishin “të mbledhur atje rreth njëqind e njëzet vetë” (Vep. 1:15) – për ta transformuar në Kishë të Perëndisë Triadik. “Era e fortë” nuk vjen nga ndonjë drejtim tokësor, por “nga qielli” ku ndodhet “Ati që është në qiej”. Prania e zjarrtë ndahet në gjuhë zjarri “mbi secilin prej tyre”. Kështu zbulohet marrëdhënia e drejtpërdrejtë e Shpirtit me Fjalën e Perëndisë, por edhe karakteri personal i dhuratës së Tij. Shpirti do t’u shfaqë njerëzve Krishtin si Zot dhe Shpëtimtar (1Kor.12:3). Ai do të transmetojë hirin e Tij në zemrën njerëzore. Shpirti i Shenjtë vazhdon në kohë dhe në vend veprën shpëtimtare të Krishtit, duke rrezatuar pareshtur energjinë hyjnore, me mënyra origjinale, shpesh të pakapshme nga mendja e njeriut. “Shpirti ku të dojë fryn” (Jn. 3:8). Fuqia, që marrin nxënësit në Pentikosti, me ardhjen e Shpirtit të Shenjtë, nuk ka të bëjë vetëm me zhvillimin dhe lartësimin e tyre shpirtëror. Nuk bëhet fjalë për ndriçim individual, për një ekstazë gjendjeje lumturie që ta shijojnë të vetëm. Ofrohet për transmetimin e ungjillit të shpëtimit në tërë botën, që të vazhdohet vepra e transformimit të botës, të cilën e nisi Krishti. “Do të merrni fuqi, kur të vijë Shpirti i Shenjtë mbi ju, dhe do të më jeni dëshmitarë edhe në Jerusalem, edhe në gjithë Judenë, edhe në Samari, edhe deri në fund të dheut” (Vep. 1:8). Nxënësit që pak më parë ishin të frikësuar, shndërrohen në apostuj të guximshëm, që të vazhdojnë veprën e Krishtit në botë. Dhe Kisha bëhet në këtë mënyrë përgjithmonë “apostolike”.

    Dëshira e fortë e besimtarit është të bëhet tempull i Shpirtit të Shenjtë, të përsoset personaliteti i tij me pjekjen përbrenda tij të fryteve të Shpirtit të Shenjtë (Gal.5:22). Që të bëhet në vazhdim edhe ai vetë mbartës i Shpirtit të dashurisë, të së vërtetës, të shenjtërimit, të pajtimit në ambientin e tij, të afërm dhe të largët, të kontribuojë në një ripërtëritje të vazhdueshme të njerëzimit. Çdo kremtim i Pentikostisë ofron një mundësi të re për çdo komunitet kishtar dhe për secilin nga ne, që të përjetojmë, në mënyrë eukaristike dhe lavdëruese ardhjen dhe dhuratën e Shpirtit të Shenjtë, që të ripërtërijmë besimin në fuqinë e Tij dhe ta lusim me tërë intensitetin e shpirtit tonë:

    Shpirt i Tërëshenjtë, “eja dhe qëndro në ne dhe pastrona nga çdo njollë”.

    Fuqizo guximin dhe vendosmërinë tonë.
 
    Ripërtërije dhe fal frymë e fuqi të re në Kishën, që ndodhet brenda në botë.

    Dhe jepna fuqi të jemi, në botën e sotme plot vuajtje, “dëshmitarë” të Kryqit dhe të Ngjalljes, dëshmitarë të drejtësisë, paqes dhe shpresës.
 
12.6.2011
————–
    * Mesazhi i Pentikostisë (2011), që u hartua nga Kryepiskopi Anastas, u nënshkrua dhe nga shtatë presidentët e tjerë të Këshillit Botëror të Kishave. Ai u botua në anglisht, frëngjisht, spanjisht dhe gjermanisht dhe u dërgua në 349 kisha dhe komunitete kishtare, në 110 vende, në pesë kontinente, të cilat janë anëtare të këtij organizmi ndër të krishterë.