Kishat që përmendim më poshtë janë vjedhur katër vitet e fundit, por kanë pasur dhe vjedhje të tjera të mëparshme. Ky informacion është nxjerrë nga arkivi i Bërthamës së Trashëgimisë Kulturore dhe mendojmë që numri i kishave të vjedhura është akoma dhe më I madh. Duke iu referuar informacioneve të mediave dhe burimeve të ndryshme ato na tregojnë se vjedhjet në objektet e kultit orthodhoks bëhen përherë e më të intensifikuara, prandaj numri i vjedhjeve që paraqesim më poshtë, ju kujtojmë, se ndoshta përbën një pjesë të vogël të atyre që ndodhin në realitet, por që për arsye të largësisë dhe të indiferencës së organeve shtetërore dhe komuniteteve vendees nuk jepet asnjë informacion.
1. Kisha në fshatin Bularat, Gjirokastër, është vjedhur më 19 mars 2011. Në të janë marrë dy ikona të veçanta të ikonostasit.
2. “Shën Maria” Leusë, Përmet. Janë vjedhur pjesë të gdhendura të ikonostasit, 19 nëntor 2009.
3. “Shën Gjergji”, Libofshë, Lushnjë, është bërë vjedhja e kambanës së kishës më 4 prill 2011. Në këtë kishë janë bërë dhe vjedhje të tjera të herëpashershme në këto vitet e fundit, të cilat si pasojë kanë sjellë zhdukjen e plotë të ikonostasit.
4. “Shën Nikolla” Vanaj, Fier, kemi pasur vjedhje të derës kryesore të kishës dhe të ikonostasit, më 10.12. 2007 dhe kemi vjedhjen e kambanës, më 6.2.2011.
5. “Shën Maria” Zervat, Gjirokastër. Janë bërë tri grabitje rresht, nga dhjetori 2010 deri në shkurt 2011, duke vjedhur ikonat e të gjithë ikonostasit përfshirë këtu dhe baltakinin, kryqin mbi iconostas dhe polielin.
6. “Shën Parashqevia” (e Premtja), në fshatin Çetë, Kavajë është vjedhur më 11.2.2011m gjatë procesit të restaurimit, ku janë zhdukur lekët e mbledhura në kishë, si dhe gjithë pajisjet e grupit restaurues.
7. “Shën Thanasi”, Karavasta, Lushnjë. Përveç vjedhjeve të tjera të mëparshme vjedhja e fundit është bërë në dhjetor 2007 duke zhdukur një pjesë të mirë të ikonostasit, i cili tani nuk ekziston më.
8. “Shën Mëria”. Bënjë, Përmet. Vjedhur më 19 nëntor 2009. Në të është zhdukur një ikonë me vlera të veçanta shpirtërore dhe artistike.