Doli në qarkullim libri “Lutja, përvojë e përjetësisë” i arkimandrit Sofron Saharov (1896-1993), përkthyer nga frëngjishtja nga Eleni Pani. Libri i jep përgjigje pyetjes “Cili është kuptimi i jetës” dhe si të bëhesh “person”.
Që të bëhesh “person”, do të thotë të bashkohesh dhe t’i ngjasosh Krishtit, të bëhesh mbajtës edhe i plotësisë hyjnore, edhe i mbarë njerëzimit, me vuajtjet dhe gëzimet e tij. Por si të hysh pra, në dashurinë e Perëndisë, në Dritën e Tij që na u zbulua në malin Thavor? Përmes përulësisë, shndërrimit të pandërprerë të të gjithë qenies, trupit, shpirtit dhe mendjes.
Si “arti i arteve”, lutja është çelësi i kësaj metamorfoze të brendshme. Si dhunti e jetës së bollshme të Shpirtit të Shenjtë, ajo e restauron ikonën e Perëndisë te ne. Lutja ballë për ballë Qenies së përjetshme, është burimi i atësisë shpirtërore dhe i teologjisë së vërtetë, është njohje që të kungon me Perëndinë. Por, “si krijim që gufon gjithmonë”, lutja është edhe udhë e kryqit, betejë pa fund në zemër mes Dritës hyjnore dhe errësirave të njeriut të vjetër, fuqia çliruese e Krishtit nga pushteti skllavërues i pasioneve.
Për këtë “udhë të ngushtë” në kufijtë e të dukshmes dhe të padukshmes, mes rënieve dhe ngritjeve, dëshpërimit dhe gëzimit paskal, na flet atë Sofroni. Jo nga jashtë, duke u nisur nga dija livreske, por nga brenda, nga përvoja e tij vetjake si murg, eremit, prift, rrëfyes, atë shpirtëror i shumë manastireve në Malin Athos që prej vitit 1925, dhe më pas në Evropë (1947…). Kjo përvojë, duke qenë pjesë e traditës së Etërve asketë të Kishës dhe të mësuesit të tij, starec Siluanit (1866-1938), u jep shkrimeve të tij fjalë “jete dhe fryme”.