26 tetori ishte një ditë e veçantë, e cila do të mbetet gjatë në kujtesën e besimtarëve beratas. Tradicionalisht kjo e kremte përcillet me madhështi në qytet, sepse feston martiri i madh Shën Dhimitër Mirovliti, emrin e të cilit mban katedralja e Beratit. Kjo katedrale, e ndërtuar tërësisht me fondet e siguruara nga Kryepiskopi Anastas, hapi dyert para 4 viteve dhe ngrihet madhështore në qendër të qytetit, afër vendit të kishës së vjetër, të shkatërruar nga regjimi ateist. 

    Kremtimet filluan në vigjiljet e festës, me Shërbesën  e Mbrëmësores nën drejtimin e Mitropolitit të Beratit, Imzot Ignatit. Besimtarë të shumtë u bënë pjesë e kësaj shërbese të shenjtë dhe morën pjesë në litaninë me ikonën e hirshme te Shën Dhimitrit,  si dhe në Nekimin e pesë bukëve për nder të shenjtorit.

    E nesërmja do të ishte një ditë e veçantë, sepse panairit të ndritshëm do t’i bashkohej Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Ati dhe Kryebariu ynë, Imzot Anastasi. Prania e tij gjithmonë ka sjellë gëzim mbarëqytetar, dhe nuk kishte se si të ishte ndryshe edhe në këtë ditë. Me Kryepiskopin Anastas, që kreu Liturgjinë Hyjnore, bashkëmeshuan Mitropolit Ignati dhe Episkopi i Bylisit, Asti.

    Në përshëndetjet e rastit, i pari foli Imzot Ignati, i cili tha ndër të tjera: “Shumë i përndritur Fortlumturi! Kam nderin e veçantë dhe kënaqësinë e pakufishme t’Ju shpreh falënderimet më të thella e më të përzemërta në emër të klerikëve dhe të besimtarëve orthodhoksë të qytetit tonë të lashtë.

    E quaj me vend të theksoj këtu se është interesimi dhe këmbëngulja Juaj, si dhe kontributi i pakursyer që keni dhënë e po jepni, që nga dita e hedhjes së themeleve e deri në ditën e përfundimit me sukses të plotë të këtij tempulli të lavdishëm. Nuk u mjaftuat vetëm me kaq, por u kujdesët me përkushtim për ta pajisur këtë monument shpirtëror me ikonostasin mbresëlënës. Këtij ikonostasi sot i bashkëngjitet edhe Froni Kryepriftëror, i gdhendur po  me aq mjeshtëri.

    Më mbetet mua personalisht t’Ju përgëzoj nga thellësia e shpirtit për gjithçka që keni bërë dhe vazhdoni të bëni për forcimin e Kishës sonë Autoqefale dhe veçanërisht për ndihmesën Tuaj të vyer në dobi të bashkësisë orthodhokse beratase. Zoti Ju dhëntë shëndet të plotë dhe frymëzim shpirtëror për të mirën tonë të përbashkët.

    Më pas e mori fjalën Kryepiskopi Anastas, i cili ndër të tjera theksoi: “Hirësi, vëllai im i shtrenjtë më Krishtin, zoti Ignat. Në fillim dua t’Ju falënderoj me gjithë shpirt për fjalën Tuaj fisnike, për mbështetjen e vazhdueshme dhe për përpjekjen tonë të përbashkët për Kishën. Dua të them që me gëzim ndodhem sot në mesin tuaj. Më kujtohet hera e parë më 1991, kur erdha në Berat. Sigurisht, atëherë gjendja këtu, ishte krejtësisht e ndryshme. Meshuam në kishën e shkatërruar të Shën Spiridhonit. Një herë tjetër meshuam në kishën e Shën Thomait, së cilës i kishin mbetur vetëm muret rrethuese. Më kujtohet gjithashtu kur në vitin 1994 bëmë themelimin e kësaj kishe, të Shën Dhimitrit. Atëherë ishte kohë e vështirë, kishte rënë kolera në Berat. Kisha porosituri ilaçe për të sëmurët dhe aparatura për spitalin. Besoj se pjesa më e madhe këtu i kujtojnë, kurse të rinjtë është mirë t’i mësojnë.

    Erdha pikërisht në këtë vend, për të bërë themelimin e kishës. Atëherë autoritetet shtetërore nuk ishin shumë pozitive ndaj Kishës Orthodhokse. Ishte koha kur donin të zbonin Kryepiskopin, si dhe të ndalnin përparimin e Kishës Orthodhokse në Shqipëri. Ndodheshim këtu këtu të vetëm, bashkë me protopresviterin Jani Trebicka. Larg nesh qëndronin disa besimtarë që na ndiqnin me mjaft shqetësim, se çfarë do të ndodhte, dhe disa policë, të cilët i pengonin ata që të afroheshin. Ishte një themelim i çuditshëm, brenda heshtjes dhe persekutimit. Nuk mund ta shlyej nga kujtesa ime atë pasdite.

    Kaluan disa vite ku nuk patëm mundësi të fillonim punimet për ndërtimin e kishës. U bënë shumë përpjekje që të grumbullonim paratë dhe, lavdi Zotit, sot kemi këtë kishë katedrale kaq të bukur. Gëzimi im më i madh është që ju keni Mitropolit, vëllanë tim më Krishtin, zotin Ignat, i cili me shumë zell dhe dashuri kujdeset për baritimin e kësaj mitropolie, të cilën para se të vinte ai e kisha unë nën kujdes.

    Ka rëndësi t’i kujtojmë ato vite dhe çaste të vështira që kemi kaluar. Të vjetrit e kujtojnë shumë mirë persekutimin dhe çdo të thotë të jetosh pa kisha, pa priftërinj dhe pa episkopë. Të rinjtë duhet të pyesin më të mëdhenjtë se çfarë ka ndodhur më parë dhe të falënderojnë Perëndinë për çfarë ka falur gjatë këtyre 20 vjetëve. Ka dy fjalë bazë në Kishën Orthodhokse. E para është “falënderimi”, mirënjohje për Perëndinë, për ato që Ai na ka falur. Tjetra është “falja”, më fal për mëkatet që unë kam bërë. Këto dy fjalë nuk përdoren shumë këtu në Shqipëri, por janë përcaktuese në identitetin tonë orthodhoksë. Mirënjohje për Perëndinë, për ato që Ai na ka falur dhe pendim për fajet që kemi bërë.E ndërsa sot ne kremtojmë këtë festë të madhe të Shën Dhimitrit, ju uroj më shumë gëzim, më shumë paqe, me bekimin dhe dashurinë e Shën Dhimitrit. Për shumë vjet! Me shumë dashuri, shpresë dhe kurajë!”

    Nën kujdesin e Mitropolisë së Hirshme të Beratit u organizua, një drekë për nder të së kremtes së ndritshme të Shën Dhimitër Mirovlitit. Nderuan me pjesëmarrjen e tyre Kryepiskopi Anastas, autoritet më të larta vendore, si dhe besimtarë të shumtë.

Joan Qako