E kremtja e Fjetjes së të Tërëshenjtës në bregdet

    Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Imzot Anastasi, kreu Liturgjinë Hyjnore të Fjetjes së të Tërëshenjtës Mari në ambientet e Manastirit të Shenjtë, dikur të famshëm të Shën Theodhorëve, në afërsi të fshatit Dhërmi, në zonën e bregdetit. Qindra besimtarë me përdëllimtari fetare mbushën mjediset e manastirit dhe morën pjesë në misterin e shenjtë me emocionin, që pranë tyre kishin Kryepiskopin Anastas. Akolluthitë dhe Liturgjia Hyjnore u kryen në ambient të hapur, sepse ende nuk janë restauruar kisha e manastirit dhe mjediset e tjera, të cilat ishin shndërruar në bazë ushtarake gjatë viteve të persekutimit ateist. Duke marrë shkas nga ky fakt, Kryepiskopi gjatë përshëndetjes së besimtarëve tha, se për dy arsye e zgjodhi atë vend për të celebruar panairin e së Tërëshenjtës: së pari, për të theksuar me gjithë simbolikën faktin se Orthodhoksia ishte feja e shekujve për besimtarët e atyre zonave dhe së dyti, se ende vazhdon padrejtësia që ambiente të shenjta adhurimi ende nuk i janë dorëzuar Kishës Orthodhokse dhe bëhen objekt grabitjeje të pronës së paluajtshme. Duke iu drejtuar besimtarëve të pranishëm, që e ndiqnin me shumë vëmendje, Kryepiskopi analizoi fenomenin e krizës ekonomike që mundon rajonin, në veçanti Greqinë, ku jeton një numër i madh i besimtarëve, por ndikon edhe këtu në vendin tonë.


    Kriza është pasojë e korrupsionit, tha konkretisht Kryepiskopi, i cili fillon gjithmonë nga personi dhe shndërrohet në fenomen social. Dhe korrupsioni ushqehet nga tri rrënjë: babëzia dhe etja për pasuri, gënjeshtra dhe shmangia nga pohimi i së vërtetës, si edhe nga egocentrizmi. Të tria këto rrënjë duhet që besimtarët e krishterë Orthodhoksë, të gjejnë fuqitë, përmes mësimit të Ungjillit, t’i shkulin, që të rigjallërohet optimizmi dhe të largohet pasiguria e frika nga e nesërmja.

    Kryepiskopi theksoi pikërisht nevojën për optimizëm dhe shpresë, që do t’i gjejmë te personi i Nënës së Tërëshenjtë.

    Kryepiskopi komunikoi gjithashtu se do të fillojë përpjekja për ringritjen e këtij manastiri të lashtë, ndërsa nga besimtarët kërkoi që gjithsecili të ringrejë tempullin e shpirtit, i cili, sikundër tha, ndonëse kanë kaluar 20 vjet mbetet shpeshherë në gjendje të rrënuar, si manastiri ku gjendemi.

    Besimtarët e zonës kishin kohë që prisnin me padurim të përshëndesin Kryepiskopin, të shprehin me çfarëdo mënyre mirënjohjen e tyre për gjithçka bën për Kishën tonë. Duhet të theksohet fakti, se gjatë këtyre njëzet viteve të përpjekjes së pandërprerë për ringritjen e Kishës Orthodhokse me kujdesin e drejtpërdrejtë  të Kryepiskopit në krahinën e Himarës janë ringritur për nevojat e enorive kishat e tyre. Përmendim këtu atë të “Gjithë Shenjtorëve” në Himarë dhe Manastiri i Shën Dhimitrit në Qeparo (ndërsa rrënjësisht janë restauruar gjashtë kisha të tjera qendrore). Gjithashtu është ngritur një godinë shkollore në territorin e kishës së Gjithë Shenjtorëve, për nevojat e komunitetit të atjeshëm. Kryepiskopi vizitoi gjithashtu kishën e bukur të re që po përfundon në fshatin Lukovë dhe që nderohet në kujtim të Shën Athanasit dhe Shën Nifonit, që e ka origjinën nga ai fshat. Në fshatin Pllakë të Vurgut Kryepiskopi pati takim të përzemërt me të gjithë banorët e këtij fshati, ku u vendos përfundimisht ndërtimi i kishës nga themelet për nevojat e enorisë. Me këtë rast nxiti besimtarët për më shumë autokritikë dhe pendesë. Vizitë e Kryepiskopit Anastas do të mbetet e paharruar nga besimtarët e gjithë zonave që vizitoi.

Korresp. i “Ngjallja”