Në datat 8-12 korrik 2011, në Universitetin e Jorkut në Angli, do të mblidhet Sinodi i Përgjithshëm i Kishës së Anglisë, me temë “Duke ndarë Lajmin e Mirë dhe duke ndërtuar Kishën sot”. Në të do të marrin pjesë të gjithë episkopët e saj dhe përfaqësues të klerikëve dhe laikëve.
Kisha Anglikane është Kisha zyrtare e Anglisë. Ajo luan një rol të rëndësishëm në mbarë jetën e vendit. Një pjesë e episkopëve të saj janë edhe anëtarë të Dhomës së Lordëve. Në këtë Sinod do të përfshihen diskutime të ndryshme në lidhje me rolin e Kishës Anglikane në fushën e edukimit, si dhe puna e saj në fusha të tjera jashtë kuadrit fetar dhe marrëdhëniet me Kishat e tjera.
Me ftesë të Kryepiskopit të Kishës së Anglisë, Dr. Rowan Williams, i ftuari kryesor (principal guest) i këtij Sinodi do të jetë Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, prof. dr. Anastasi. Kryepiskopi Anastas, që është edhe President i Këshillit Botëror të Kishave (WCC), organizmi më i madh kishtar global i këtij lloji, do të mbajë fjalën e Tij përpara Sinodit të premten pasdite.Kryepiskopi Anastas gëzon një vlerësim të jashtëzakonshëm në rrethet e Kishës së Anglisë, si edhe në botën e krishterë moderne, për kontributin e madh që ka dhënë në dialogun midis të gjitha konfesioneve të krishtera dhe për promovimin e dialogut ndërfetar në rang global.