Krishtlindjet në Berat
“Perëndi është Ai që lindi, dhe Nëna e Tij e virgjër; ç’gjë tjetër
më të madhe dhe të re dhe të parëdukur, pa krijesa?”
“Perëndi është Ai që lindi, dhe Nëna e Tij e virgjër; ç’gjë tjetër
më të madhe dhe të re dhe të parëdukur, pa krijesa?”
Në mbrëmjen e datës 23 dhjetor ishin grupet e fëmijëve, të cilët shpallën lajmin e gëzueshëm në çdo shtëpi të qytetit. Kolendrat sjellin gjithnjë një atmosferë festive me fëmijët, të cilët paraprihen nga Ylli i Betlehemit dhe shoqërohen nga këngët melodioze të Krishtlindjeve.
Festimi i Krishtlindjeve në shërbesat kishtare filloi intensivisht me Orët e Mëdha në datën 23 në mëngjes, vazhdoi në këtë frymë në Liturgjinë Hyjnorë të datës 24 dhjetor. Shërbesat e shenjta arritën kulmin me Mbrëmësoren e Madhe në mbrëmjen e datës 24 si dhe në mëngjesin e ditës së Krishtlindjeve me mëngjesoren dhe Liturgjinë Hyjnore.
Në fund të Liturgjisë së Shenjtë u lexua mesazhi i Mitropolitit të Beratit, Vlorës, Kaninës dhe gjithë Myzeqesë, Imzot Ignatit, i cili ndër të tjera theksonte:
“Festa e Krishtlindjeve është caktuar në krishterim, që nga shekujt e parë. U caktua më 25 dhjetor, që të zëvendësojë, kështu, festën e madhe idhujtare të diellit, që kremtohej, kryesisht në Romë, me orgjira. Krishti, “Dielli i drejtësisë”, që solli në botë “dritën e diturisë”, është “lindja që lartazi”, dhe u bë, tashmë, qendra e botës dhe pikënisja e rilindjes së Krijesës. Sepse, Ai është krijimi dhe rikrijimi i botës. Prandaj, Krishtlindjet përbëjnë fillimin dhe themelin e të kremteve të krishtera. Ndikimi i të kremtes së Krishtlindjeve është i madh tek bota e krishterë.
Por, sot, me kaq arte, me kaq shkenca dhe me një kulturë të tillë, kemi nevojë për Krishtin? Sigurisht që, po. Dhe madje, sot, me bollëkun tonë, kemi me bollëk, edhe të keqen. Sot, shumica e njerëzimit kërcënohet, besa lëkundet, familja tronditet, e vërteta shtrembërohet, autoriteti ulet, drita errësohet, liria humbet, tirania mbizotëron, ndjenja e përgjegjësisë tkurret, personaliteti zhduket, dhe bashkë me të edhe turpi. Sot njerëzimi përjeton vetminë dhe mjerimin e tij. Gjykohet fati i tij. Sot, pra, na duhet patjetër Krishti. Na duhet për të na bërë të pafajshëm si fëmijë të vegjël, për të na e mbushur zemrën, përsëri, me të vërtetë dhe dashuri. Krishti na nevojitet që të përdoret saktësisht, shkenca, arti dhe kultura. Shkenca, arti dhe kultura, pa Krishtin, nuk e zhdukin të keqen. Ndoshta, mund ta bëjnë edhe më dinake.
Shumë gjëra të tepërta kërkojmë. Njëri kërkon të ngjitet më lartë, një tjetër të fitojë më tepër, dhe dikush tjetër të jetojë më rehat. Të gjithë kërkojnë diçka tjetër. Kjo, diçka tjetër, është Krishti. Për të kemi etje. Për të kemi uri. Atë kërkojmë, brenda gjithë kërkesave tona. Por, fatkeqësisht, nuk e ndiejmë. Mos vallë, këto Krishtlindje, erdhi momenti të çlirohemi, nga uria dhe etja, duke u takuar me Foshnjën Hyjnore? Në këtë dilemë, që të përgjigjemi me vendosmëri, na ndihmon nxitja e shën Grigor Teologut, në fjalimin e tij në lidhje me Krishtlindjet. “… le të kremtojmë, o vëllezër, siç i përket Perëndisë; jo në mënyrë mondane, por në mënyrë qiellore. Le të festojmë, jo duke synuar dëshirat tona por, dëshirën e Perëndisë, domethënë, të Foshnjës Hyjnore. Le të synojmë, jo ato që shkaktojnë sëmundjen, por ato që e shërojnë. Jo ato që kanë lidhje me gjithësinë, por ato që kanë lidhje me rikrijimin, domethënë, me shpëtimin tonë. Amin!”
Gjithashtu, si çdo vit, nuk munguan edhe përfaqësuesit e tre komuniteteve fetare me në krye: nga Komuniteti Mysliman, të Myftiut Z. Murat Dura, nga Komuniteti Romano-Katolik të Don Giovanni Vaccarini si dhe nga Komuniteti Bektashian të Z. Ali shehu.
Erdhën për të ndarë urimet e përzemërta në këtë ditë të shënuar edhe besimtarë të shumtë.
Nga Berati: Joan Qako