Thjesht dhe bukur, me program të larmishëm, predikime, këndime, lexime e interpretime. Kështu e përjetuan pjesëmarrësit pritjen e festës së Krishtlindjes, më 21 dhjetor 2010, në ambjentet e Akademisë Teologjike në Shën Vlash të Durrësit. Mesazhi i kësaj dite të shenjtë erdhi edhe këtë fundvit me gëzim në zemrat e organizatorëve, studentëve të Akademisë, nxënësve të Liceut Kishtar të Kishës sonë në Sukth dhe më tepër akoma, fëmijëve të Shtëpisë Orthodhokse “Shpresa”. Ata u mblodhën të gjithë bashku për të kujtuar ardhjen në botë të Krishtit foshnje në një atmosferë me ngjyrat e ëmbla të festës.
 
    Kori i Akademisë e çeli veprimtarinë me himnin “Virgjëresha lindi sot” e më pas vijuan pjesët medituese, dramat, vjershat, vallet, bashkë me himnet të psalura nga studentët, nxënësit dhe fëmijët me aq dashuri dhe finesë. Më tej, pedagogu i Akademisë, theologu Thoma Çomeni, mbajti predikimin “Lindja e Krishtit”, duke theksuar se kjo ngjarje ndryshoi historinë e njerëzimit dhe kjo ishte vërtetë lindja e shumëpritur e Shpëtimtarit. Në fund, fjalën e mori Hirësi Nikolla, i cili përshëndeti me këto fjalë: “Vetëm kur njeriu përpiqet të gjejë diçka të re merr kuptim jeta e tij. Perëndia mund ta përmbushë dhe këtë e bëri përmes çudisë më të madhe në historinë e njërëzimit, Lindjes së Shpëtimtarit. Zoti erdhi si njeri që në jetën tonë të kemi diçka të re. Duka zbatuar me seriozitet porositë e Tij, atëherë do të shikojmë mrekullitë në jetën tonë”.
 
    Sigurisht, aktiviteti nuk do të përfundonte këtu. Surprizat kishin vendin e tyre, duke ndarë bashkë me gëzimin edhe dhuratat e rastit bashkë me një kokteil të përgatitur për të gjithë të pranishmit. Festa në këtë ambjent të bekuar ende vazhdon… Në heshtje, sikurse edhe bredhi dhe stolitë bashkë me dritëzat e gjendura gjithandej. Por më shumë se kjo pritje e jashtme kaq domethënëse, duket se gëzimi plotësohet me lumturinë e vërtetë të ardhjes në botë të Krishtit foshnje.
 
Isidor Koti