Edhe këtë vit me bekimin e Perëndisë në Mitropolinë e Shenjtë të Gjirokastrës u festua me lutje, përdëllimtari dhe besim Dita e Lindjes së Shpëtimtarit tonë Zotit Iisu Krisht. Të gjithë besimtarët orthodoksë ishin mbledhur për të kremtuar në Kishën «Metamorfoza e Shpëtimtarit» ku meshoi dhe Hirësia e Tij z. Dhimitër. Gjallëria dhe gëzimi i besimtarëve reflektoheshin qartë në fytyrat e tyre. Të gjithë iu lutën Foshnjës së Porsalindur Hyjnore për sa me shumë paqe, dashuri, gëzim, shpresë e besim dhe uruan njëri – tjetrin për Krishtlindje të lumtura. Pas Meshës Hyjnore në ambientin pritës të Kishës pati kokteil për të gjithë besimtarët.
Tashmë, në Mitropolinë tonë, është bërë traditë që ditën e dytë të Krishtlindjeve, pra në datën 26, me mbështetjen dhe bekimin e Hirësisë së Tij z. Dhimitër, të organizohet takimi i përvitshëm studentor. Pas Liturgjisë Hyjnore të së Dielës studentë të Mitropolisë u vendosën në sallën e veprimtarive të Liceut «Kryqi i Nderuar» ku u mbajt një referat nga z. Pavlos Kyriakidis, profesor në Fakultetin e Psikologji- Pedagogji- Filozofisë të Universitetit të Janinës. Referati kishte si temë problemet dhe vështirësitë që hasin të rinjtë orthodoksë në shoqërinë e sotme, në këtë realitet me ngjyra të errëta, sikundër u tha, dhe si mund t’i përballojmë ato. Gjithashtu gjatë bisedës u fol edhe për luftën mediatike që po i bëhet Kishës sonë. Në fund të takimit gjithë të pranishmit drekuan në prani të Hirësisë së Tij z. Dhimitër dhe klerikëve të tjerë. Gjatë drekës u dhanë mendime të ndryshme për organizimin e rinisë së Mitropolisë sonë. Në fund u shpërndanë dhe disa dhurata për studentët pjesëmarrës.
Nga Gjirokastra
M. Naçi