Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë
KRISHTLINDJE, 2012
Durim me zemër të gjerë
Shpëtimtari i botës, ardhjen e të Cilit kremtojmë në Krishtlindje, nuk erdhi në tokë si një udhëheqës plot ngut dhe i vrullshëm për të ndryshuar përnjëherësh realitetin mëkatar. Fjala e Perëndisë, i bërë njeri, nuk kërkoi të ndreqë gjithçka në pak kohë, të imponojë me forcë parimet që shpalli për një shoqëri të drejtë. Që në vitet e para të pranisë së Tij në historinë e njerëzimit, u soll me një DURIM të mahnitshëm: durim ndaj indiferencës së banorëve të Bethlehemit që nuk i ofruan as edhe një strehë të thjeshtë. Durim ndaj armiqësisë paranojake të pushtetit politik, që ndjeu se po kërcënohej dhe rendi të marrë masat më të dhunshme kundër Tij. Durim në kushtet e të qenurit i huaj, kur u detyrua, së bashku me nënën e Tij dhe mbrojtësin e Tij Josif, të gjejë strehë në një vend të huaj, në Egjipt. Dhe më vonë, për shumë kohë, punoi si punëtor krahu, me durim, duke marrë pjesë heshturazi në mundimin e popullit të thjeshtë.
Dhe kur mbërriti koha për misionin e Tij publik, për të krijuar parimet e një shoqërie të re dashurie, të Kishës, për shpalljen e së vërtetës, të paqes dhe të drejtësisë, përsëri tregoi durim të paepur: durim ndaj mospranimit të mesazhit të Tij nga skribët intelektualë dhe farisenjtë në dukje shpresëtarë, durim ndaj shpifjeve të pabaza, durim ndaj sjelljeve zemërngushta dhe mendjengushta të të Tijve. Durim ekstrem në poshtërimet e bëra nga ushtarët e pagdhendur të absolutizmit romak. Durim në kulmin e martirizimit të kryqit.
* * *
Ndërsa kundrojmë personin e Mesias që po vjen, le të mendojmë më me kujdes rreth “durimit të Krishtit”. Dhe le të kërkojmë nga Perëndia i durimit dhe i ngushëllimit (Rom. 15:5), Perëndia i dashurisë, të orientojë drejt këtij durimi zemrat tona.
Të gjithë e dimë se kushtet e sotme në vendin tonë janë jashtëzakonisht të vështira. Mos e lejojmë shkurajimin të na pakësojë fuqinë e shpirtit, të paralizojë forcat tona. Le të shfaqim durim edhe në zemëratën tonë të justifikuar, ndaj tensionit dhe frikës mashtruese që ndeshen kudo. Sigurisht, kur flasim për durimin e krishterë, nuk nënkuptojmë përballje pasive, një lloj qëndrimi stoik, një formë nirvane, heqje dorë nga përgjegjësitë dhe kërkesat e drejta, indiferencë për aksion social. Krishti artikuloi fjalë kritike- le të sjellim në mendje predikimet e Tij,- me fjalë të ashpra- le të kujtojmë zinxhirin e fjalëve “mjerë” kundër skribëve dhe farisenjve (Matth. 23:33). Dëboi nga tempulli ata që e kishin bërë “shtëpi tregtie” (Matth. 21:33, Mark. 11:17). Por njëkohësisht na fton të mësojmë prej Atij, i Cili është “i butë dhe i përulur në zemër” (Matth.11:29), durimin e thellë të brendshëm, që të gjejmë paqen dhe ekuilibrin në shpirtrat tanë.
Durimi i krishterë nuk përbën dobësi karakteri. Përkundrazi, ngjason me fuqinë e frenave që mbron nga aksidentet, që garanton sigurinë e udhëtimit. Mjerë ai që guxon të udhëtojë me makinë ose aeroplan që nuk kanë frena të fortë. Frenat e sigurt presupozojnë fuqi. E njëjta gjë ndodh edhe me durimin. Ai i transformon edhe hidhërimet, edhe sprovat më të mëdha. Nga përvoja e tij personale, apostull Pavli na siguron: “…se hidhërimi sjell durim, durimi sprovë (karakter të sprovuar), ndërsa sprova shpresë, shpresë e cila nuk turpëron” (Rom. 5:3-5).
Me anë të durimit, njeriu përdor më mirë fuqitë e tij intelektuale dhe sentimentale. Durimi i bashkuar me këmbënguljen e paqtë, çel kalime në shumë rrugë pa krye: në marrëdhëniet familjare, në krizat e shëndetit, në vështirësi të ndryshme ekonomike, gjatë procesit të edukimit, në hulumtimin shkencor, në përpjekjet krijuese. E udhëheq njeriun drejt pjekurisë. “Durimi vepër të përsosur ka, që të jeni të përsosur dhe të plotë duke mos mënuar në asgjë” (Jak.1:4).
Shkrimi i Shenjtë na ka dhënë shumë shembuj të durimit, nga të cilët më të njohurit janë ai i Avrahamit (Hebr. 6:15), i Jovit (Jak.5:11) dhe i Hyjlindëses. Por veçanërisht na fton të imitojmë “durimin e Jisuit”: “Me durim le të vrapojmë në betejën që qëndron përpara nesh, duke e pasur vështrimin te kryetari i besimit dhe përsosësi Jisu” (Hebr. 12:1-2,4). Dhe me shikimin tonë të përqendruar tek Ai, le të përballemi me durim zemërgjerë me sprovat që na dalin përpara. Në mënyrë të veçantë, të gjithë ata që përhapin Ungjillin, të vërtetën e Krishtit në kufijtë e vjetër dhe të rinj, sa janë “dhjakonë” dhe të dërguarit e Tij, janë thirrur në një pjesëmarrje më të ngushtë në veprën dhe Pësimin e Tij “në durim të shumtë, në hidhërime, në nevoja, në shtrëngime… (2 Kor. 6:4).
Mbi të gjitha kërkohet durim në ditët tona, për të arritur reciprocitetin dhe unitetin e brendshëm shpirtëror, për të cilat ka nevojë vendi, për ta kapërcyer krizën. Me durim do ta fitojmë jetën tonë (shih Llk. 23:19).
* * *
Të gjitha sa nxirren në pah në këto ditë kremtuese, vëllezërit e mi- paqja, dashuria, shpresa dhe durimi që theksuam ditën e sotme- janë gjëra të ndërlidhura njëra me tjetrën, ashtu siç ndërlidhen në trupin tonë organet jetësore, sistemi nervor, i qarkullimit të gjakut dhe ai muskulor. Secili ndërvaret, mbështet dhe fuqizon tjetrin. Pra durimi nuk është aspak i veçuar dhe autonom. Vepron së bashku me besimin (sistemi nervor), shpresën (ai muskulor) e me dashurinë (sistemi i qarkullimit të gjakut) e cila “i duron të gjitha” (1 Kor. 13:9).
Le ta lusim fort Zotin, “Perëndinë e dashurisë” në këto festa të Krishtlindjeve që të orientojë mendimet tona drejt kësaj forme durimi, por mbi të gjitha, ta bëjë këtë edhe me zemrat tona. Të na orientojë drejt “durimit të Krishtit” të paqtë, të fortë, rrezatues, të paepur. Dhe “Dielli i drejtësisë”, fitimtar do të shndrisë përsëri brenda reve të zeza, për të ndriçuar dhe për të ngrohur zemrat tona. Me durim me zemër të gjerë le të ecim sidomos gjatë vitit të ri, që të kapërcejmë problemet e shumëllojta dhe kundërshtitë e paparashikuara.
Krishtlindje të bekuara!
Me të gjithë dashurinë time më Krishtin