Në 4 qershor u kremtua kujtimi i shën Joan Vladimirit në Manastirin e Hirshëm që mban emrin e shenjtit, në Shijon të Elbasanit. Në këtë panair morën pjesë një numër i madh besimtarësh orthodhoksë nga rrethe të ndryshme të Shqipërisë, madje edhe besimtarë të huaj (një grup studentësh nga SHBA të udhëhequr nga atë Luka Veronis si dhe një grup tjetër besimtarësh orthodhoksë nga Mali i Zi, Cërna Gores). Kështu të gjithë bashkë i dhanë manastirit gjallëri, shpresë e besim. Si çdo vit ishin të pranishëm edhe studentët e Akademisë Teologjike “Ngjallja e Krishtit”, drejtuar nga Hirësia e Tij, Imzot Nikolla, të cilët kishin edhe përgjegjësinë e organizimit të këtij panairi. Morën pjesë edhe grupe të ndryshme nga Tirana, organizuar nga Qendra Studentore, Zyra Rinore, Zyra e Lidhjes së Grave, si edhe besimtarë nga qytetet dhe fshatrat përreth.
    Shërbesat nisën që në mbrëmjen e datës 3 qershor, kryesuar nga Hirësia e Tij, episkopi i Krujës, Imzot Andoni. Atë Luka Veroni mbajti predikimin e rastit, duke theksuar se një nga virtytet e shën Joan Vladimirit ishte urtësia. Agripnia zgjati deri në orët e para të mëngjesit. Në përfundim të Liturgjisë Hyjnore, siç është edhe tradita, u zhvillua litania rreth Manastirit me lipsanin e shenjtit. Pas mbarimit të Litanisë së madhe, besimtarëve iu shpërndanë edhe ikona të shenjtorit, ndërsa lutjet e tyre vazhduar gjatë gjithë asaj dite, për të kërkuar ndërmjetimet e tij te Perëndia. Kjo e kremte ishte edhe ditë festive për komunën, e cila e ka shpallur 4 qershorin festën e të gjithë zonës.
Kristi Xhaferi