Sipas traditës liturgjikale orthodhokse kremtimet fillojnë që në mbrëmjen e ditës paraardhëse. Kështu në mbrëmjen r kësaj dite, kleri dhe populli e filluan lutjen e përbashkët me shërbesën e Mbrëmësores ku tekstet e himneve dhe uratave që i referohen festës ndërthuren me dy momente të veçanta, litania e ikonës, ku ikona që paraqet ngjarjen që përkujtohet nxirret në qendër të kishës dhe ku besimtarët me shpresëtari, besim dhe dashuri e nderojnë duke iu lutur nënës së Zotit Jisu Krisht të ndërmjetojë tek Biri i saj për problemet vështirësitë dhe përparimin e tyre shpirtëror. Gjithashtu në këtë moment lutjeje është dhe bekimi i 5 bukëve, verës dhe vajit. Ky bekim, i cili është pjesë e traditës së krishterë orthodhokse e ka zanafillën dhe bazën e tij në ngjarjen biblike ku Zoti Jisu Krisht bekoi dhe shumoi 5 bukë dhe 2 peshq (Mateu 14:17) dhe nga ku hëngrën 5 mijë burra, pa
llogaritur gratë dhe fëmijët. Gjatë lutjes së mbrëmjes u mbajt një predikim, duke iu referuar rolit dhe shembullit të Shën Marisë si nënë, nga pedagogu i Akademisë Teologjike “Ngjallja e Krishtit” në Shën Vlash z. Thoma Çomëni. Pranimi me vullnet të lirë të thirrjes hyjnore për të lindur Jisu Krishtin është tregues i besimit të saj, por dhe baza e një marrëdhënie të fortë midis saj dhe Zotit Jisu Krisht. Kjo e bëri atë të kuptojë rëndësinë dhe rolin e birit të saj në historinë njerëzore. Mbi këtë pranim të lirë mbështetet përkujdesja për djalin e saj në edukimin shoqëror, familjar dhe fetar të tij, bashkë me dhimbjen në Kryqëzimin dhe gëzimin në Ngjalljen e tij. Janë disa nga momentet që e Tërëshenjta na tregon të kuptojmë gëzimin, përgjegjësinë dhe detyrimin e nënës në mirërritjen dhe edukimin e fëmijë së saj.
Në këtë frymë u kremtua festa e fjetjes e të Tërëshenjtës Mari. Edhe pse është fjetje (vdekje) ajo transmeton gëzim, gëzim që mbështetet në personin, jetën dhe besimin e të Tërëshenjtës, konceptin që kanë të krishterët për largimin nga kjo jetë, i cili bazohet nën aspiratën, aspiratën e jetës së përjetshme dhe në ndihmën e përkujdesjen që ka treguar e Tërëshenjta ndaj atyre që kanë kërkuar ndihmën e saj për probleme, shqetësime të ndryshme shoqërore, familjare dhe shpirtërore. Mrekullitë e panumërta janë dëshmia më e fortë.
Thoma Çomëni