– Përvjetor i ringjalljes dhe i garancisë për të ardhmen –
 
    Në datën 24 qershor, në Kishën “Ungjillëzimi i Hyjlindëses”, në Tiranë, u festua 19-vjetori i zgjedhjes së Fortlumturisë së Tij Anastasit në krye të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Në këtë ditë të veçantë, u krye Liturgji Hyjnore panegjirike ku bashkë me të gjithë anëtarët e Sinodit merrnin pjesë edhe besimtarë të ardhur nga qytete të tjera të vendit.
 
   Nëntëmbëdhjetë vjet më parë, duke njohur vlerat dhe kontributin e tij, besimtarët orthodhoksë të vendit tonë e vlerësonin se ai ishte personi i përshtatshëm për ta ringjallur Kishën tonë. Ky vlerësim iu shpreh Patriarkanës Ekumenike në mars të vitit 1992, nga një delegacion i gjerë zyrtar kleriko-laik i Kishës sonë, që bëri një vizitë pranë saj. Më pas, më 30 maj 1992, Këshilli i Përgjithshëm i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë i drejtohej me njëkërkesë zyrtare në emër të besimtarëve orthodhoksë të Shqipërisë, Tërëshenjtërisë së Tij, Patriarkut Ekumenik, Vartholomeut. Sinodi i Shenjtë i Patriarkanës Ekumenike, pasi shqyrtoi këtë kërkesë, duke pasur parasysh se nuk kishte mbetur i gjallë asnjë episkop me origjinë shqiptare, duke marrë në konsideratë punën e shkëlqyer të Imzot Anastasit, vendosi më 24 qershor 1992 zgjedhjen e tij si  Kryepiskop i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Nuk ishte ky një fron i rehatshëm, ishte një kryq i rëndë, të cilin Fortlumturia e Tij e ngriti me guxim e vetëmohim dhe arriti të realizojë atë mrekulli që jetojmë të gjithë ne sot.
 
Thoma Dhima