Theofania, pagëzimi i Shpëtimtarit tonë Jisu Krisht, përbën një nga festat më të mëdha të vitit liturgjikal. Prandaj në të gjithë botën Orthodhokse kësaj të kremteje i jepet një rëndësi e veçantë, ku traditat kishtare ndërthuren bukur me traditat e shkëlqyera popullore.

    Kjo festë e cila njihet ndryshe edhe si dita e Ujit të Bekuar, i jep qytetit historik të Beratit një shkëlqim të veçantë, që nuk shihet në asnjë ditë tjetër të vitit.

    Shërbesat kishtare u kryen në dy kishat kryesore të qytetit, ne kishën e Shën Spiridhonit si dhe në Katedralen e Shën Dhimitrit, nën drejtimin e Mitropolitit të Beratit, Vlorës dhe Kaninës, Imzot Ignatit. Në predikimin e ditës u theksua: “Para se të vijë Jisu Krishti në botë, parapriu një përgatitje e madhe dhe e zgjatur. Perëndia parapërgatiti njerëzimin me shumë mënyra që të pranojë Çlirimtarin. Veçanërisht parapërgatiti popullin e Judesë, brenda të cilit do të dërgonte Birin e Tij. Dhe veprimi i fundit i rëndësishëm i kësaj parapërgatitjeje ishte dërgimi i Joan Pagëzorit i cili, në shkretëtirën e Judesë, ftonte popullin të bëhet gati për të pranuar Shpëtimtarin.

    Kur Joani u pyet nga Judenjtë, nga kush e mësove Krishtin; iu përgjigj: Ai që më dërgoi të pagëzoj me ujë më tha: “Ai mbi të cilin do të shohësh Shpirtin e Shenjtë duke zbritur si pëllumb nga qielli e duke qëndruar mbi të, ky është ai që pagëzon me Shpirt të Shenjtë”. Shikon dikush, se pikërisht për këtë arsye erdhi Shpirti i Shenjtë, jo se ishte hera e parë që zbriti, por për të treguar Atë, për të cilin predikuan profetët, dhe e bën të njohur tek të gjithë, sikur ta tregonte me gisht. Prandaj erdhi të pagëzohet Zoti”.

    Shërbesat të cilat filluan në orët e para të mëngjesit u ndoqën me shpresëtari nga besimtarë të shumtë të cilët patën rastin të marrin me vete dhe Ujin e Bekuar, që do ti shoqërojë gjatë gjithë vitit.

Kulmi i kremtimit është padyshim hedhja e kryqit nga ura e Goricës në ujërat e lumit Osum. Ky veprim që simbolizon bekimin, me anën e kryqit, të të gjitha ujërave përshtatet me kushtet e përkryera gjeografike të qytetit tonë, duke sjellë në Berat pelegrinë nga e gjithë Shqipëria. Me hijeshi u përshkrua bulevardi “Republika” nga kortezhi i klerikëve dhe i besimtarëve të shumtë drejt vendit ku do të hidhej kryqi, me guxim u sfiduan temperaturat e ulëta nga 11 djem të cilët u përpoqën për të kapur kryqin.

    Në kthimin e litanisë kortezhit iu bashkuan ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit z. Genc Pollo, Zëvendës kryetari i Kuvendit Popullor z. Nasip Naço, rektori i Universitetit të Tiranës, z. Dhori Kule, Kryetari i Bashkisë Berat z. Fadil Nasufi, Prefekti i Qarkut z. Bujar Hoxhaj, si dhe përfaqësues dhe autoritete të shumtë lokalë e qendror.

    Një pritje e veçantë me rastin e kësaj feste të madhe u mbajt për besimtarët dhe autoritet e lartpërmendur në ambientet e godinës së Mitropolisë së Hirshme të Beratit nga Imzot Ignati.