“Zëri i tij doli në gjithë dheun, dhe fjalët e
                  tij deri në anët e botës”. (Romakëve 10, 18)
 
    Më 24 gusht, Kisha kremton dhe nderon kujtimin e hirshëm të hierodëshmorit të lavdëruar Kozma nga Etolia. Myzeqeja është vendi në të cilin ky shenjtor i madh mori kurorën e lavdisë, duke u martirizuar për emrin e Krishtit. Pikërisht në Kolkondas, në datat 23 dhe 24 gusht 2011, erdhën me mijëra besimtarë për ta nderuar shenjtin dhe për të kërkuar ndërmjetimet e tij të vyera pranë Perëndisë. Pelegrinë të shumtë nga vende të ndryshme të Shqipërisë, por edhe besimtarë të ardhur nga Greqia u mblodhën me rastin e këtij panairi të madh.
    Shërbesat filluan me Mbrëmësoren e festës, pasditen e datës 23 gusht, vijuan më pas lutje të ndryshme përgjatë gjithë mbrëmjes në praninë e shumë shpresëtarëve, të cilët ishin përgatitur për të kaluar natën në Manastirin e shën Kozmait. Të nesërmen u krye shërbesa e Mëngjesores si dhe e Liturgjisë Hyjnore. Ashtu si çdo vit këto shërbesa i drejtoi Mitropoliti i Beratit, Vlorës, Kaninës dhe gjithë Myzeqesë, Imzot Ignati. Bashkëmeshuan midis shumë priftërinjve të Mitropolisë së Beratit, edhe disa klerikë të ardhur nga vendi ynë fqinj, Greqia.

   Me shpresëtari shumë besimtarë u kunguan me Trupin dhe Gjakun e Zotit Krisht. Gjithashtu u krye për nderin e shën Kozmait bekimi i pesë bukëve, i grurit të shenjtë si dhe në fund shërbesat u mbyllën me litaninë madhështore përqark manastirit të hirshëm. Në mesazhin e Tij për këtë festë, ndër të tjera Imzot Ignati theksoi disa mesazhe, të cilat vijnë nga mësimet e vyera të shën Kozmait.
    Mitropoliti i Beratit tha: “Shën Kozmai kishte një dashuri dhe respekt të veçantë për Hyjlindësen. Besonte, se personi i së Tërëshenjtës, është çelësi i besimit dhe se besa tek misteri i së Tërëshenjtës dhe Hyjlindëses na dallon nga ateistët dhe heretikët.
    E Tërëshenjta është Eva e re. Nëse nga Eva e parë trashëguam mëkatin dhe vdekjen, nga Eva e dytë, Hyjlindësja, trashëguam çlirimin dhe jetën. Thotë edhe një koment teologjik të bukur shën Kozmai. Gruaja e parë, Eva, lindi nga brinja e burrit, e Adamit. Kishte borxh gruaja tek burri. I detyrohej jetën. Vjen Eva e re, e Tërëshenjta, dhe shlyen borxhin në gjininë e burrit. Ashtu si pa grua lindi gruaja e parë, kështu pa burrë, Eva e re, e Tërëshenjta lindi njeriun e ri, Perëndinjerinë.
    E Tërëshenjta është më e lartë se gjithë gratë e botës, nga gjithë njerëzit, më e lartë edhe se engjëjt. Duke folur shën Kozmai për Hyrjen e Virgjëreshës në Tempull, thotë se engjëll i Zotit e ushqente me ushqim qiellor, bashkëbisedonte me engjëjt dhe u bë “më e nderuar se Keruvimet dhe më e lavdëruar pa krahasim se Serafimet”.
    Maria është emri i së Tërëshenjtës. Por çdo të thotë “Maria”? Do të thotë Zonjë, do të thotë edhe Mbretëreshë. Është Zonja Hyjlindëse. Zonjë, sepse zotëroi mbi të keqen. Zonjë se është nëna e Zotit. Zonjë, sepse ne shërbëtorët e përulur i biem në gjunjë me dhimbje dhe shpresë dhe kërkojmë ndërmjetimin e saj. Cilado zonjë tjetër e rëndësishme e kësaj bote është një zero përpara Zonjës Hyjlindëse, e cila është edhe Mbretëreshë. Në kokën e saj ka kurorën e shenjtërisë. Në duart e saj mban skeptrin e dashurisë. Dhe fronet e saj janë dy. Njëri në të djathtë të Perëndisë, sipas psalmit: “mbretëresha qëndroi në të djathtën tënde” (Psalm 44, 9). Tjetri, në të majtë të trupit njerëzor, është froni i zemrës sonë. Për mëkatet tona i lutet Birit të saj, të na mëshirojë. Dhe ka shumë guxim për të folur Nëna e Shpëtimtarit. Shumë fuqi ka lutja e nënës për dashamirësinë e Dhespotit, psal Kisha jonë çdo ditë në shërbesën e orëve.
    Bëhen shumë fjalë në ditët tona për të drejtat e gruas dhe për barazinë e gruas me burrin. Barazinë e vërtetë të dy gjinive e predikoi Krishtërimi këtu e dy mijë vjet; barazi reale, jo sheshim. Shën Kozmai, mbartës i predikimit autentik të Ungjillit, kritikon ashpër pushtetin burrëror dhe predikon barazinë e krishterë:
    “Duhet edhe ti, burrë, të mos përdorësh gruan tënde si skllave, sepse krijesë e Perëndisë është edhe ajo, ashtu si ti. Aq sa u kryqëzua Perëndia për ty, aq u kryqëzua edhe për atë. Atë e quan ti Perëndinë, Atë e quan edhe ajo. Keni një besim, një pagëzim, Perëndia nuk e ka më poshtë…”
     Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin! E Tërëshenjta na fali dhuratën më të madhe, Shpëtimtarin Krisht. Le t’ia shpërblejmë me respekt, nder dhe modesti. E Tërëshenjta kërkon të reshtim së nderuari me hipokrizi dhe të rendim ta nderojmë me të vërtetë. Dhe nderi i vërtetë është imitimi. Këtë le të ndjekim duke psalur me shpresëtari dhe urtësi: O Hyjlindëse e Tërëshenjtë ndërmjeto për ne. U bëftë!”
 
Joan Qako