Në periudhën e Kreshmës së Madhe dhe në pritje të vigjiljes së Pashkës, gratë e lidhjes orthodhokse të grave “Përhapja e Dashurisë”, të qytetit të Tiranës zhvilluan shumë aktivitete të larmishme shpirtërore dhe sociale. Një aktivitet i rëndësishëm ishte shpërndarja e ndihmave në 300 familje nevojtare, familje me persona të sëmurë, me persona me aftësi të kufizuara, jetimë, nëna me shumë fëmijë, të moshuar, të braktisur, etj. Gratë vullnetare përgatitën pako me ushqime dhe veshmbathje, ndërsa 80 familjeve të tjera iu ofrua ndihmë ekonomike.
    Të moshuarit janë përherë pjesë e vizitave dhe e kujdesit treguar nga grupi i grave orthodhokse. Një grup grash vullnetare shoqëruar edhe nga një klerik vizituan të moshuarit në azilin e motrave të nënë Terezës. Gjatë kësaj vizite u krye edhe shërbesa e Falënderimit Hyjnor, për të gjithë ato që ishin përgatitur për këtë dhuratë. Pas shërbesës, gratë ndanë disa dhurata simbolike dhe transmetuan dashurinë atërore të Kryepiskopit Anastas dhe të gjithë komunitetit orthodhoks me rastin e Pashkës.

    Lajmin e Ngjalljes së Zotit, e pritën me gëzim të madh, edhe këtë vit, dhe të dënuarit e Burgut 325 në Tiranë. Grupi vizitor i Kishës përbëhej prej 13 grash e të rinjsh, të kryesuar nga kleriku Atë Ilia Mazniku. Fillimisht ai përcolli mesazhin e Pashkës mbi dashurinë sakrifikuese të Zotit në kryq dhe Ngjalljen e Tij të lavdishme. Më pas u dha një koncert me këngë nga grupi rinor orthodhoks, përgatitur enkas për këtë vizitë. Në fund të takimit u ndanë pako me dhurata për 270 persona të dënuar në këtë institucion. Atmosfera e ngrohtë që u krijua ishte një dëshmi e Dashurisë së Krishtit në zemrat e të gjithë të pranishmëve.
 
    Mbështetja shpirtërore dhe financiare e Kryepiskopit Anastas së bashku me kontributin vullnetar të komunitetit orthodhoks dhe i të gjitha grave në veçanti, bënë të mundur realizimin e këtyre aktiviteteve kaq të rëndësishme për shoqërinë tonë.
 
 
 
Rajmonda Shqevi