Tema: “Për çdo gjë falenderoni, kjo është dëshira e Perëndisë”, shoqëroi udhëtimin e tri periudhave 10-ditore në kampin e vajzave “Bariu i Mirë”, në shën Joan Vladimir dhe ndihmoi të kultivohet një shpirt e zemër mirënjohëse për çdo gjë kemi në jetën tonë. Ky udhëtim 10-ditor në kampin e vajzave, brenda programit ku përfshiheshin lutja, meditimi, studimi i Shkrimit të Shenjtë, diskutimi mbi çështje të ndryshme sociale, konkurse talentesh dhe dramash i ndihmoi pjesëmarrësit të qëndronin larg frymës së ankesës dhe në vend të saj të jenë mirënjohës, të hapin sytë e të shohim bekimet dhe mrekullitë që Zoti bën në jetën tonë, të gëzojmë miqësitë dhe mirësitë që Ai na jep çdo ditë. Kampi i vajzave “Bariu i Mirë” 2012, mblodhi në gjirin e tij 230 vajza nga qytete e fshatra të ndyshme të Shqipërisë, 17 prej të cilave u bënë anëtarë të Kishës sonë nëpërmjet Misterit të Pagëzimit.
Vajzat pjesëmarrëse të ndara në grupe të vogla me emrat si: besimi, bindja, durimi, falja, urtësia, përkushtimi, dashuria etj. mësuan si t’i përftojnë këto virtute në jetën e tyre. Bashkë me këto emra secili grup paraqiti në dramë historinë e njerëzve me frikë Perëndie nga Dhiata e Vjetër si: Josifin e drejtë për faljen, Jobin për durimin, Ruthin për përkushtimin, Abrahamin për besimin, Solomonin për urtësinë, Jonai për bindjen, etj.
Falenderimi është shumë i dukshëm në gojën e njerëzve mirënjohës, si për shembull në gojën e Profetëve. Profeti Daniel lutej e falenderonte Perëndinë, në jetën e shenjtorëve të cilët edhe në vuajtje të mëdha falenderonin Perëndinë duke zbatuar fjalën biblike që thotë: Mos u shqetësoni për asgjë, por në çdo gjë ia parashtroni kërkesat tuaja Perëndisë me anë lutjesh dhe përgjërimesh me falenderim.
Vizitat baritore në azile dhe në spitale fëmijësh nxitën mirënjohjen ndaj Zotit dhe dhanë mundësinë e përjetimit të fjalëve të tij: “Isha i sëmurë dhe më vizituat…” Nëpërmjet tyre mësuam që një person është vërtet i krishterë vetëm kur interesohet për nevojat e të tjerëve. Referat e ndryshme ishin: Për çdo gjë falenderoni; Martesa, misteri i madh; Murgëria vendim hyjnor; Si të vishem tani që jam e krishterë; Dhe këto fjalë që sot po të urdhëroj do të mbeten në zemrën tënde; të cilat u mbajtën nga referues të ndryshëm: Hirësi Ignati, Hirësi Joani, Hirësi Nikolla, Hirësi Andoni, Motër Rakela Znj.Pamela Barksdale, Z. Niko dhe znj.Ana Kodheli, dhanë mundësinë të thellohemi edhe më tepër brenda misterit të jetës dhe të vërtetave të besimit.
Kampi veror, si model i udhëtimit të jetës sonë drejt Zotit ndihmoi në përjetimin e besimit tonë dhe të jetës në komunitet. Secili veç e veç mund të bëjë diçka të mirë, por së bashku bëjmë gjëra të mrekullueshme për veten dhe për jetën. Ndaj dhe kjo përvojë është nga më të bukurat, siç thanë edhe vajzat pjesëmarrëse. Faleminderim dhe mirënjohje të gjithë atyre që bënë të mundur realizimin e këtij aktiviteti kaq të rëndësishëm.