– Lumturia troket në kampet verore për fëmijët kosovarë –
Programi i kampit ishte i larmishëm, me diskutime në grupe për një temë të caktuar, me këngë, lojëra, drama etj. Çdo vit zgjidhet një temë për kampin. Këtë vit tema e përzgjedhur për diskutim ishte “Lumturia”, nga e cila kishte marrë edhe emrin kampi i sivjetshëm, Kampi “Lumturia”. Gjatë ditëve të kampit së bashku me fëmijët u trajtuan dhe u diskutuan aspekte të ndryshme të lumturisë, si: lumturia vjen nga ajo që jemi dhe jo nga ajo që kemi, lumturia është në marrëdhëniet që ndërtojmë dhe jo në gjërat që posedojmë, lumturia vjen nga zgjedhje që bëjmë dhe s’është rezultat i rrethanave, lumturia e vërtetë është jeta me vlera.
Për t’i ardhur në ndihmë diskutimit të fëmijëve mbi temën e lumturisë, çdo ditë në fillim të programit, nga stafi i kampit luhej një dramë e shkurtër, e cila theksonte mesazhin kryesor të asaj dite. Lidhur me temën e kampit, çdo vit fëmijët mësojnë edhe një himn, i cili gjithashtu thekson mesazhet kryesore që diskutohen me fëmijët në grupe të vogla.
Për të mbyllur sa më bukur këto ditë të gëzueshme që fëmijët kaluan në aktivitet, çdo kamp finalizohet me një festë me poezi, këngë e valle. Për të festuar së bashku me fëmijët, në këtë festë ishin të ftuar edhe prindërit e mësuesit e fëmijëve.
Realizimi i këtyre kampeve ashtu si edhe në vitet e kaluara ishte shumë i suksesshëm. Fëmijët kaluan një kohë të bukur dhe argëtuese, gjatë së cilës ata mësuan shumë gjëra të reja rreth lumturisë dhe u argëtuan pa masë në shoqërinë e njëri-tjetrit dhe të mësuesve të tyre. “Çdo vit, fëmijët
na presin me padurim dhe me shumë ngrohtësi dhe na përcjellin me shumë mirënjohje dhe me shpresën se do të shihemi sërish në vitin e ardhshëm. Por këtë vit, për t’u theksuar është ngrohtësia me të cilën u pritëm nga fëmijët në fshatin Drenoc, sepse atje ishte viti i parë që ne po zhvillonim një kamp veror. Fëmijët e fshatit Drenoc kishin dëgjuar për kampet tona nga miqtë dhe kushërinjtë e tyre që jetojnë në fshatrat ku kishim organizuar kampe më parë, kështu që edhe ata na pritën me padurim dhe shumë të gëzuar që edhe në fshatin e tyre po organizohej një kamp i tillë. Falënderime dhe mirënjohje morëm edhe nga mësuesit e shkollave si edhe prindërit e të afërmit e fëmijëve. Stafi i kampit ishte përgatitur për punën në këto kampe me një trajnim të veçantë për mësimdhënien, argëtimin dhe zhvillimin e fëmijëve, për të arritur potencialin e tyre të plotë njerëzor” – u shpreh një prej koordinatoreve kryesore të kampit,Gabriela Hoppe.
Zyra Qendrore e Fëmijëve
|
|
|
|
|
|
|
|