Kampet verore ditore janë ndër aktivitetet që fëmijët e zonave të ndryshme të Shqipërisë i presin me shumë dëshirë. Edhe këtë verë të 2011-ës, Kisha Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë bëri të mundur realizimin e këtyre kampeve në bashkëpunim me klerikët e Dioqezave të ndryshme, katekistët dhe me të rinjtë, të cilët ofruan ndihmën e tyre vullnetarisht përgjatë zhvillimit të këtyre kampeve. Kampet u organizuan nga fundi i korrikut deri në mesin e shtatorit, me pjesëmarrje të gjerë të fëmijëve. Programi zhvillohej nga ora 08.00 deri në 12.00. Shpenzimi i kohës me miqtë e tyre dhe gjetja e miqve të rinj e bënte edhe më interesante pjesëmarrjen në këtë aktivitet. Tema e këtij viti ishte: “Shenjtorët e gjallë”.
Programi ishte hartuar në atë mënyrë që fëmijët edhe do të edukoheshin me vlerat e krishtera, por edhe do të argëtoheshin përgjatë këtyre ditëve. Programi konsistonte në lutje, diskutime në grupe të vogla për jetën e shenjtorëve, por siç është bërë tashmë traditë, pjesë e tij ishin edhe këngët, lojëra të ndryshme në grupe të vogla dhe të mëdha, punë dore etj. Duke njohur botën e fëmijëve, mësuesit ishin të përgatitur me një sërë këngësh me lëvizje, lojëra nga më të ndryshmet, poezi etj.
Me bekimin e Episkopit të Apollonisë, Hirësi Nikollas, Departamenti i Edukimit të Krishterë në Akademinë Teologjike ”Ngjallja e Krishtit”, në shën Vlash të Durrësit ofroi kampet ditore verore në shën Vlash, në Rrushkull dhe fshatrat përreth, në Kishën e shën Pjetrit dhe Pavlit në Durrës dhe asistoi në kampin e fëmijëve të Kavajës. Përgjatë kampit, fëmijët mësuan për jetën e shën Nikolla Mrekullibërësit, për shën Julitën dhe Kirikun, për martirët shën Pjetër dhe Pavli dhe për Apostujt. Ata ishin të ftuar të merrnin pjesë në Liturgjinë Hyjnore më 8 Shtator për të festuar Lindjen e Hyjlindëses Mari dhe pas Liturgjisë u zhvillua mësimi mbi jetën dhe dëshminë e saj. Fëmijët morën informacionin bazë për të lexuar ikonat, gjuhën e tyre simbolike dhe kuptimin e simboleve të tyre. Qendra e re e Edukimit të Krishterë dhe klasat e Akademisë në Shën Vlash ndihmuan që studentët të akomodonin 24 fëmijë (mosha 4-8 vjeç) dhe 33 fëmijë (mosha 9 vjeç e lart). Programi i katekizmit në Kishën e Shën Pavlit në Rrushkull ishte i tejmbushur me 64 fëmijë. Një ekskursion i veçantë u organizua në manastirin e Ardenicës ku morën pjesë 21 fëmijë dhe 9 prindër, të gjithë së bashku morën pjesë në Liturgjinë e zhvilluar në këtë manastir me rastin e festës së Lindjes së Hyjlindëses Mari. Njëzet fëmijë të pagëzuar morën Kungimin Hyjnor nga Hirësi Ignati që celebroi Liturgjinë e të kremtes.
Gjithashtu edhe në zonën e Elbasanit, kampet u zhvilluan edhe në Cërrik, Gramsh, Elbasan dhe Librazhd. Sipas Atë Petro Halili, në këto kampe ishin të pranishëm 250 fëmijë dhe vlen të veçohet se kampet ditore në Librazhd u organizuan për herë të parë pranë kishës së re që është në ndërtim e sipër.
Ndërkohë, mbi 200 fëmijë morën pjesë në kampet ditore të Dioqezës së Beratit. Sipas Atë Niko Lushit, kampet u zhvilluan në fund të muajit gusht deri në mes të shtatorit në këto zona: Berat, Ura Vajgurore, Shën Pjetër, Pojan, Agim, Rrupaj, Bubullimë.
Këto kampe zhvillojnë te fëmijët ndjenjën e përgjegjësisë për veprimet e tyre. Nëpërmjet kampeve, fëmijët mësojnë se nuk është mjaftueshme të duash vetëm veten tënde, por mbi të gjitha Perëndinë që na krijoi dhe na udhëzon si të jetojmë, dhe të duam të afërmin ashtu si veten. Prindërit shprehen se shoqërizimi i fëmijëve, kujdesi dhe përgjegjësia që tregohet për fëmijët përgjatë kampit, i bën ata që të vazhdojnë të sjellin fëmijët e tyre vit pas viti në këto kampe, duke parë vlerat që fëmijët e tyre zhvillojnë nga dita në ditë.
Anastasia Pamela Barksdale, Isidor Koti & Ana Meni