Mjafton vetëm të lexojmë këtë himn dhe kuptohet shume lehtë gëzimi, madhështia dhe hareja me të cilat karakterizohet Krishtlindja.
Kjo atmosferë u përjetua dhe u ndje gjerësisht në Beratin e traditave të shumta. Zbukurimet, gatimet tradicionale, grupet e shumta rinore me yllin e Betlehemit në duar, të cilët shpallnin Lindjen e Shpëtimtarit, sollën një atmosferë ngazëlluese të Krishtlindjes.
Nuk mungoi në këto ditë të Shenjta prania e besimtarëve në shërbesat kishtare. Mijëra besimtarë ishin të pranishëm në Katedralen e Shën Dhimitrit si dhe në Kishën e Shën Spiridhonit për të ndjekur Liturgjinë e Krishtlindjes si edhe për t’u kunguar me Trupin dhe Gjakun e Zotit Krisht.
Dëgjuam në këtë ditë dhe mesazhin e përgatitur me shume kujdes nga Mitropoliti i Beratit, Vlorës, Kaninës dhe gjithë Myzeqesë Imzot Ignati. Mitropoliti në mesazhin e tij për këtë këtë festë, u përqendrua pikërisht tek simboli i Krishtlindjes, tek oferta e magëve, pra tek dhuratat.
Ai ndër të tjera në mesazhin drejtuar besimtarëve tha: “–“Ç’të të të blatojmë o Krisht, që u duke mbi dhé si njeri për ne?”.Para gjithë këtyre dhuratave ne, çfarë kemi për t’i ofruar Perëndisë, që vjen për ne midis nesh? Nuk kemi për t’i dhënë diçka që i mungon; por kemi tri dhurata, që Ai i do, qoftë edhe nëse nuk ka nevojë për to.
Së pari, t’i dhurojmë mëkatet tona. Janë shumë, janë të rënda, por Ai i do. Mund t’i ngrejë, t’i pastrojë, t’i asgjësojë dhe të na çlirojë nga fajet shpirt-vrasëse.
Dhurata e dytë, t’i dhurojmë dashurinë. Dashurinë, që Ai na mësoi sot, me kërcimin që bëri nga froni i Tij i ndritshëm, në llumin e realiteti tonë.
Dhe së treti, t’i dhurojmë bashkimin tonë të lirë me Të. Perëndia varfërohet, që të bashkohet me ne. Mbulon urtësinë e Tij me një copë mish. Vishet me padijen e një foshnjeje të pa zë. Kërkon nga ne që ta zbulojmë.”
Kjo ditë e bukur, vazhdoi me vizitat e besimtarëve, të krerëve të komuniteteve fetare, të pushtetarëve vendor si dhe të përfaqësuesve të partive politike në ambientet e Mitropolisë së Shenjtë.
Urimet dhe festa e bekuar e Krishtlindjes u shpërngul më pas në të gjitha tryezat dhe shtëpitë e qytetarëve beratas, të cilët përgatiten gjatë për të pritur sa më mirë lindjen e Shpëtimtarit Krisht.
Nga Berati
Z. Joan Qako
Z. Joan Qako