Të premten, dt 1 shkurt 2013, në orën 21:00, në emisionin “Tonight” e gazetares Ilva Tare, në stacionin radio-televiziv “ORA NEWS”, ishte i ftuar Mitropoliti i Korçës, Hirësi Joani, i cili iu përgjigj pyetjeve të ndryshme, që e kanë burimin tek sulmet e kohëve të fundit, por dhe me gjerë kundër Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.
Emisioni filloi me një historik të shkurtër të Kishës Orthodhokse në Shqipëri e përgatitur nga redaksia. Më tej Hirësia e tij, Joani i Korçës, iu përgjigj shumë pyetjeve që kishin të bënin me autoqefalinë e Kishës Orthodhokse këtu në Shqipëri; kush është Kisha dhe çfarë do kuptojmë me autoqefali të saj; figura e Nolit dhe cili është kontributi i tij; a ka kufizim mandati për episkopin; etj, përgjigjet e të cilave ndihmuan auditorin e gjerë të teleshikuesve për të reflektuar drejt mbi sulmet që i bëhen Kishës Orthodhokse në Shqipëri.
Gjithashtu në vijimësi të pyetjeve të ndryshme, Hirësi Joani tregoi për rolin e madh që luan Kisha në jetën e besimtarit; si duhet të fokusohen njerëzit në këtë çorientim që ekziston në botë dhe në Shqipëri; si ndihmon Kisha për qetësinë dhe ngritjen shpirtërore të njeriut sot; sa besimtarë janë shqiptarët etj.
Ndërsa disa nga pyetjet e “vështira“, siç i cilësoi gazetarja pyetjet mbi Kryepiskopin Anastas, i cili – tha ajo – është në qendër të sulmeve ndonjëherë të medias, herë-herë të ndonjë analisti apo edhe të qarqeve të ndryshme, ishin: “Pse Kryepeshkopi Anastas s’ka marrë pasaportë shqiptare?’’ apo “E ka penguar autoqefalinë fakti se Kryepeshkopi është shtetas grek?”, “Pas 21 vitesh është krijuar mundësia që të kemi brezin tonë për drejtimin e Kishës?” apo “Si e shihni kthimin e emigrantëve shqiptarë për shkak të toponimeve?”, Hirësia e Tij, Joani, iu përgjigj me vërtetësi, përgjegjësi, etike dhe kulturë.
Mitropoliti i Korçës , Joani, vlerësoi në këtë intervistë atdhedashurinë, por jo urrejtjen. Pyetje të tilla si “E njihni si prift Nikolla Markun?”, “Ç’raport keni me shtetin?”, “Cili është raporti i Kishës me nacionalizmin?”, “Ekziston tolerancë në Shqipëri apo mosnjohje e fesë nga njerëzit?”, ishin pjesë e emisionit “Tonight” e Ilva Tares.
Hirësi Joani nuk la mënjanë edhe çështjen e kthimit dhe kompensimit të pronave, problemin e dramës “Shën Maria e Beratit” të dramaturgut Namik Dokle, si edhe problemin e Censusit 2011, që siç u shpreh ai: “Kjo mbase mund të jetë edhe e qëllimshme, por është e padrejtë dhe komunitet ortodoks ndihet i lënduar”.
Julia Lila