Ditën e fillimit të Kreshmës së Madhe,  në ambjentet e Akademisë Teologjike “Ngjallja e Krishtit”, në Shën Vlash, Durrës u zhvillua një program me karakter meditativ. Përgjegjësinë kryesore për organizimin e këtij aktiviteti, e kishte viti IV. Programi përmbante psalme, lutje, lexime të ndryshme, meditime, referat etj. Kreshma e madhe na përgatit për festën më të rëndësishme të krishtërimit, Pashkën e cila përbën qendrën dhe thelbin e besimit tonë orthodhoks. Në leximet që kishin përgatitur studentët e vitit IV u theksua ndër të tjera se kreshma është një ilaç, që duhet përdorur në kohën e duhur, në mënyrën e duhur e sipas kushteve të veçanta të secilit. Ajo është një mjet dhe jo një qëllim në vetvete.
   Kreshma na ndihmon në udhëtimin tonë shpirtëror drejt Pashkës së Ndritshme. Kreshëm e vërtetë dhe e pëlqyeshme para Perëndisë është jo thjesht kreshma ushqimore, por largimi nga e keqja, nga ligësia. Etërit dhe në veçanti shën Joan Gojarti na flet për kreshmën e vërtetë. Ai na thotë se duhet të kreshmojmë me gjithë qenien tonë, duhet të kreshmojë goja duke mos thënë gënjeshtra, shpifje, thashetheme, duhet të kreshmojë veshi duke mospranuar të dëgjojë gjëra të pahijshme, duhet të kreshmojnë këmbët duke mos u turrur drejt së keqes etj. Gjithashtu u dha  një shpjegim mbi lutjen më të famshme të kësaj periudhe, lutjen e shën Efrem Sirianit. Kjo është një nga lutjet më të bukura e më domethënëse për jetën shpirtërore. Ajo na flet mes të tjerash për përulësinë, që është baza e virtyteve dhe për dashurinë që është kulmi i tyre.
   Referatin e rastit, me temë “Java e parë e Kreshmës së Madhe dhe Kanoni i Madh i shën Andreas së Kretës” e mbajti Hirësia e tij, Mitropoliti i Beratit, Vlorës, Kaninës dhe gjithë Myzeqesë, Imzot Ignati. Mes të tjerash, ai tha se ky himnograf i shquar i Kishës sonë, shën Andrea i Kretës shkroi në një shpellë kanonin e madh kataniktik për pendimin, duke paraqitur simbolikisht në të shumë shembuj, si nga Dhiata e Vjetër, ashtu edhe nga Dhiata e Re. Tema e pendimit është në fakt qëndrore dhe aty përqëndrohet himnologjia dhe leximet e kishës gjatë periudhës së kreshmës. Gjithashtu ai tha se: “Java e parë e kreshmës i kushtohet heshtjes dhe luftrave shpirtërore. Qëllimi është shfarosja e zakoneve të botës dhe dorëzimi në teoritë shpirtërore. Në këtë fushë, rol të rëndësishëm ka hapi i parë. Ne thirremi të vrasim mendimin trupor, nga i cili vuan dhe dobësohet fryma.”
Në fund, të gjithë uruan njëri-tjetrin kreshëm të lehtë, të mbarë, e me sa më shumë dobi shpirtërore.
Gabriela Dalipi