Mijëra qytetarë kanë marrë pjesë në festimet e 6 janarit, në këtë ditë kur e gjithë natyra shenjtërohet me Pagëzimin e Zotit Jisu Krisht. Dita e Ujit të Bekuar është festuar në disa qytete të vendit. Pas ceremonisë në kishë e më pas ecjes në rrugët e qytetit, kryqi është hedhur në ujë, për tu kapur nga besimtarët në Durrës, Berat, Vlorë, Gjirokastër, Pogradec si dhe qytete e zona që rrethohen nga ujërat e detit ose lumenjve.
    Në Tiranë ceremonia është kryesuar nga Kryepiskopi Anastas, i cili iu kujtoi shumë besimtarëve të pranishëm në këtë ceremoni që të mbajnë Dritën e Trinisë në zemrat e tyre dhe ta shpërndajnë në ambientet ku jetojnë si shpresë për të sotmen dhe të ardhmen. Që besimtarët të pajiseshin me ujë të bekuar, rreth Katedrales ishin vendosur mbi 50 rubineta, të cilët qëndruan në gatishmëri deri në orët e vona të pasdites. Ndërkohë në Elbasan, kryqi është hedhur në kompleksin e pishinave “AJEK” dhe është kapur për të katërtin vit radhazi nga i riu, Julian Juli.
    Kjo e kremte nisi që në datën 5 janar, kur kryhen Shërbesat e Orëve të Mëdha, Mbrëmësores së Madhe me Liturgjinë e Vasilit të Madh si dhe të Bekimit të Madh të Ujit, ndërsa në datën 6 u krye shërbesa e Liturgjisë së Joan Gojartit. Mjaft qartë edhe Zoti predikoi domosdoshmërinë e pagëzimit duke thënë: “kush të besojë dhe të pagëzohet do të shpëtojë” (Marku 16: 16). Edhe tek apostujt dha porosinë të predikojnë ungjillin “duke i pagëzuar në emrin e Atit, Birit dhe Shpirtit të Shenjtë” (Marku 28: 19).
    Dita e Pagëzimit të Zotit tonë Jisu Krisht shënon edhe fillimin e misionit të tij shpëtimtar. Kjo festë quhet e dritës sepse Perëndia është drita dhe Ai u shfaq te njerëzit. Ai u shfaq duke zbuluar misterin e Trinisë së Shenjtë. Ati dëshmoi se Jisui nuk është njeri i thjeshtë, por Perëndi-njeri, ku në personin e Jisuit u bashkua natyra hyjnore me atë njerëzore.
    Besimtarët, të mbledhur së bashku për të adhuruar Perëndinë, por edhe për të ndarë mesazhet e kësaj të kremteje që i jep vetë shërbesa e bekimit të ujit ose siç quhet ndryshe edhe Ajazma e Madhe, krijuan një atmosferë të vërtetë festive.
Isidor Koti