Manastiri i Ardenicës edhe këtë vit hapi dyert e tij për të mirëpritur me qindra njerëz nga fshatrat përreth, por edhe nga shumë qytete të vendit. Të shumtë ishin ata besimtarë që mbushën ambientet e manastirit në vigjilje të kësaj feste. Dëshironin të merrnin pjesë në agripninë që organizohet për çdo vit në këtë ditë të shënuar. Kjo gjë është një dhuratë fare e vogël që një besimtar mund të bëjë për t’i shprehur mirënjohjen, dashurinë dhe falënderimet e tij Nënës së Zotit tonë. Në agripninë, e cila vazhdoi edhe pas mesit të natës, morën pjesë Mitropoliti i Beratit, Hirësia e Tij Ignati dhe Episkopi i Amantias Hirësia e Tij Nathanaili. Liturgjia Hyjnore, e cila u celebrua në orët e para të mëngjesit të 8 shtatorit u drejtua nga Mitropoliti i Beratit Ignati dhe Episkop Nathanaili. Nuk duhet të harrojmë se Manastiri i Ardenicës ka qenë dhe është një nga qendrat më të rëndësishme të Orthodhoksisë. Është qendra kryesore shpirtërore që ekziston në Myzeqe, e cila i ka rezistuar kohërave, dhe sidomos persekutimit ateist. Manastiri është një bekim për të gjithë Myzeqenë dhe duhet të jetë në mendjen, në zemrën dhe në shpirtin e çdo myzeqari dhe të çdo të krishteri orthodhoks. Gjithashtu, nuk duhet të harrojmë që kjo qendër, ky bekim kaq i madh për të gjithë ne, u ripërtëri nga këmbë-ngulja dhe përkushtimi i jashtëzakonshëm i Kryepiskopit Anastas. Mënyra më e mirë për ta falënderuar atë, mënyra më e mirë për t’i shprehur mirënjohjen tonë është vlerësimi i kësaj dhurate, duke u kujdesur për të, që të rimarrë shkëlqimin e vjetër.
By Kisha Orthodhokse|2020-04-06T22:05:59+02:0021 Mars, 2013|Lajme|Komentet te Festohet me madhështi “Lindja e Hyjlindëses” në manastirin e Ardenicës. (8 Shtator 2012) Janë të Mbyllura