Sot ,pas 100 vjetësh në sheshin e Flamurit në Vlorë për të përkujtuar Ditëlindjen e shtetit Shqiptar, si atëherë, myslimanë, orthodhoksë, katolikë e bektashianë nga të gjitha trevat ku jetojnë shiptarë u mblodhën bashkë për të festuar e gëzuar së bashku. Festimet në Vlorë kanë ditë që kanë nisur e mysafirët provuan edhe njëherë bujarinë dhe mikpritjen e vlonjatëve.
Mijëra vetë që në orët e para të mëngjesit mbushën Sheshin e Flamurit dhe rrugicat përreth. Ishin të pranishëm Presidenti i Shqipërisë z. Bujar Nishani, Kryeministri z. Sali Berisha, Kryetarja e Parlamentit znj. Jozefina Topalli, Presidentja e Kosovës znj. Atifete Jahjaga, Kryeministri Hashim Thaçi, Trupi Diplomatik, Kryetari i opozitës z. Edi Rama, anëtarë të qeverisë shqiptare, intelektualë e shumë të ftuar. Merrnin pjesë dhe përfaqësues të Komunitetit Mysliman, Bektashian, e atij Katolik. Kisha Orthodhokse përfaqësohej nga Mitropoliti i Beratit,Vlorës dhe Kaninës Imzot Ignati.
Në orën 10 filloi ceremonia zyrtare. Presidenti Bujar Nishani bëri ngritjen e Flamurit e më pas vendosi një kurorë me lule tek varri monumental i Ismail Qemalit. Më pas Kryetari i Bashkisë z.Shpëtim Gjika bëri përshëndetjen e rastit ku ju uroi mirëseardhjen të gjithë të pranishmëve. Pas Kryetarit të Bashkisë bëri përshëndetjen e tij edhe Presidenti Bujar Nishani. Pas kësaj ceremonie të gjithë ju drejtuan pallatit të sportit për të ndjekur koncertin festiv të përgatitur me këtë rast. Në këtë koncert mori pjesë edhe Imzot Ignati.
Festa në Vlorë vazhdoi gjatë gjithë ditës. Grupe këngëtarësh e valltarësh nga vende të ndryshme i shihje në të gjitha sheshet duke kënduar e kërcyer këngë e valle nga të gjitha trevat e Shqipërisë. Me të vërtetë një gëzim i madh. Me këtë rast ju urojmë të gjithëve Gëzuar 100 Vjetorin e Pavarsisë.
Atë Spiro Bulika