Në datën 26 dhjetor 2011, u zhvillua në Tiranë Festivali i 14-të Kombëtar i Rinisë Orthodhokse të Shqipërisë, organizuar nga Zyra Qëndrore e Rinisë, nën kujdesin e Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë Imzot Anastasit.
    Në këtë aktivitet morën pjesë 15 grupe rinore nga të katër dioqezat e vendit, të cilët prezantuan tek publiku këngë të krishtera, këngë popullore dhe valle tradicionale me motive nga zonat e tyre, krijimtari të reja, recitime, etj. Ato u ndërthurrën me njëra- tjetrën, duke i dhënë kështu një atomosferë të vertetë festive sallës pranë katedrales “Ungjillëzimi i Perëndilindëses”, në të cilën u organiua festivali. Të pranishëm ishin Kryepiskopi Anastas, klerikë nga vende të ndryshme të Shqipërisë, besimtarë e të ftuar,  të rinj nga e gjithë Shqipëria.
    Në festival u ndanë çmime simbolike, pasi siç tha edhe kryetari i jurisë, artisti i merituar Z. Milto Vako, të gjithë meritonin vendin e parë dhe të gjithë ishin të fituar. Vendin e parë e mori grupi rinor i Këlcyrës nga Dioqeza e Gjirokastrës.
    Në fund, përshëndeti Kryepiskopi Anastas, ku ndër të tjera shprehu urimet e tij te përzemërta për entuziazmin e rinisë, falenderoi grupin organizativ të festivalit, i cili punoi me përkushtim si dhe shpalli se pas pak kohësh, me hapjen e Katedrales së re, atje do të organizohen në ambjente bashkëkohore aktivitete të tilla. “Ky ishte festivali më i mirë që është organizuar në të gjithë këto vite”- theksoi Kryepiskopi.
    Ai u ndal edhe tek mesazhi i Krishtlindjes, duke rikujtuar edhe njëherë të rinjtë, se me ndihmën e Perëndisë, të pamundurat bëhen të mundura dhe që të mos dekurajohen nga vështirësitë, sepse gjërat e vështira janë pikërisht ato që vlejnë në jetë. Këtë vit, për herë të parë, Festivali u transmetua i plotë drejtpërdrejt në valët e Radios “Ngjallja”.
    Festivali Kombëtar i Rinisë Orthodhokse të Shqipërisë është një aktivitet që tashmë është bërë traditë dhe është fryt i punës së dioqezave dhe katekistëve që punojnë me të rinjtë.
Joan Meni