Më 29 Qershor 2011 në qytetin e Durrësit u kremtua në mënyrë panigjirike festa e apostujve Pavël dhe Petër. Ky festim panigjirik në qytetin e Durrësit ka dy arsye të forta. Së pari, këtë ditë festohet martirizimi i të dy apostujve dhe së dyti, katedralja e Durrësit që mban emrin e Apostull Pavlit, këtij apostulli që solli mesazhin shpëtimtar të Krishtit në këtë qytet të lashtë. Kjo është edhe një arsye më shumë që përkujtimi i apostujve Pavël dhe Petër të kthehet në një festim panigjirik. Kështu, Apostull Pavli dhe qyteti i Durrësit kanë lidhje të veçantë mes tyre, lidhje e cila ka zanafillën me vizitën baritore të Apostull Pavlit në Durrës, në vitet 55-56, ku në vazhdim dorëzoi episkop Apostull Qesarin, një ndër shtatëdhjetë nxënësit e Krishtit. Kjo lidhje historike vazhdon deri më sot. Ndërtimi i  kishës katedrale të Durrësit pas viteve 90 fakton këtë lidhje dhe në të njëjtën kohë e ripërtërin atë pas periudhës së diktaturës komuniste. Kjo katedrale është edhe një kujtesë historike e monumentale që zbukuron realisht arkitekturën e qytetit.
   Gëzim të veçantë u dha besimtarëve të Durrësit në festimin panigjirik të këtij viti prezenca dhe drejtimi i Liturgjisë hyjnore nga Kryebariu ynë, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturia i Tij Anastas. Ai është edhe arkitekti, themeluesi, mbështetësi shpirtëror dhe financiar i kësaj katedraleje. Fortlumturia e Tij me fjalët e ngrohta hyjnore e plot kuptim përcolli shpresë e bekim, në një kohë ku gjithë njerëzimi ka nevojë për shpresë, besim dhe dashuri. Ky kontakt i besimtarëve me kryebariun e tyre e bëjnë akoma edhe më të fortë dhe më të prekshme ndjesinë apostolike në kohën e sotme dhe përgjegjësinë e çdo të krishteri për të imituar apostujt e Krishtit.
    Në këtë vizitë baritore ai theksoi besimin, shpresën dhe vendosmërinë e apostujve Pavël dhe Petër, duke iu referuar në mënyrë të veçantë veprimtarisë së apostull Pavlit për lidhjen e fortë që ai ka me këtë qytet dhe rrethinat e tij. Gjithashtu solli ndërmend se qyteti i Durrësit ka një bekim të madh, sepse është një ndër qytetet e para që përqafoi besimin e krishterë, duke hyrë edhe në listën e qyteteve të krishtera me themelim apostolik. Krishterim i cili vazhdon deri në ditët e sotme, pavarësisht goditjeve, sulmeve dhe përndjekjeve që janë ushtruar ndaj tij.
   Vizita e Kryepiskopit në qytetin e Durrësit iu dha mundësinë besimtarëve të përjetojnë dhe një herë gëzimin e veçantë të adhurimit të Perëndisë bashkë me të, të falënderimit për ndërtimin e katedrales, që mban emrin e apostull Pavlit dhe shën Astit, për rindërtimin e kishës së Shën Gjergjit, ndërtimin e kishës në varrezat e qytetit, për interesimin e drejtpërdrejtë të arsimimit të brezit të ri nëpërmjet funksionimit të kopshtit, shkollës shqiptaro-greke “Frymë dashurie”, Manastirit të Sh. Vlashit dhe Akademisë Teologjike “Ngjallja e Krishtit” si edhe Liceut kishtar “Kryqi i Nderuar” në Sukth.
Thoma Çomëni dhe Dhimitër Qosja