Atmosfera festive nisi të ndihej që më parë me përgatitjet për ta pritur sa më mirë Krishtin-Foshnje, pas një periudhe të gjatë përgatitore lutjeje dhe kreshmimi. “Gëzuar Krishtlindjen!” Ky ishte refreni i një dite që për besimtarët e krishterë përbën jo vetëm festë, por edhe reflektim shpirtëror në jetën e tyre. Një ditë, me kuptim dhe me motivin për të qenë pranë të gjithë njerëzve, me lutje dhe falënderime, ku secili ka pasur një moment reflektimi mbi jetën e tij dhe besimin, por edhe një ditë urimesh dhe dhuratash.
Kremtimi i parë ishte ai të Dielën e Para-Krishtlindjes, pasditen e së cilës besimtarët të mbledhur në kishën “Ungjillëzimi i Perëndilindëses Mari”, morën pjesë në Misterin e Efqelisë, atë të lyerjes me vaj të shenjtëruar.
Në 24 dhjetor, herët në mëngjes, besimtarët morën pjesë në shërbesën e bukur të Orëve të Mëdha të Krishtlindjes, të mbushur me tropare dhe me lexime nga Dhiata e Vjetër dhe e Re, që flasin për Lindjen e Krishtit, duke u pasuar më pas me shërbesën e Mbrëmësores dhe atë të Liturgjisë Hyjnore të Vasilit të Madh.
Mëngjesi i vigjiljes së Krishtlindjes nisi në orën 06.00. Kisha ishte tejmbushur me qindra besimtarë, të cilët ndoqën Liturgjinë Hyjnore të Joan Gojartit dhe më pas u kunguan me Trupin dhe Gjakun e Krishtit, gjë e cila kurorëzoi përgatitjen për kremtimin e kësaj feste. Kjo shërbesë u transmetua drejtpërdrejt nga Televizioni Shqiptar (TVSH).
Atmosfera festive vazhdoi dhe mijëra besimtarë e qytetarë vinin në Kishë përgjatë gjithë ditës e më pas vizitonin familjet e njëri-tjetrit, duke shprehur urimet e tyre dhe gëzimin e ardhjes së Krishtit në botë.
Po kështu erdhën në Kryepiskopatë të uronin kryepiskopin Anastas Presidenti i Republikës z. Bamir Topi, Kryeministri z. Sali Berisha, Kryetarja e Kuvendit znj. Jozefina Topalli, Kryetari i Partisë Socialiste z. Edi Rama dhe udhëheqës të komuniteteve fetare në vend si edhe ministra dhe personalitete të tjerë të politikës dhe kulturës.
Atmosfera ndihej dhe u përjetua gjerësisht. Zbukurimet, gatimet tradicionale, grupet e fëmijëve dhe ato rinore, që disa ditë më përpara, sollën një atmosferë ngazëlluese të Krishtlindjeve në Tiranë dhe rrethina.
Me urimet “Krishtlindje të bekuara”, besimtarët vazhduan festimet në shtëpitë e tyre, në vizitat tek njerëzit e afërm, traditë kjo e cila karakterizon këtë festë unike.
Isidor Koti