Klerikë, pedagogë dhe studentë, meshuan së bashku ne kishën e Manastirit të shën Vlashit për herë të fundit për vitin akademik 2011-2012. Data 12 qershor ishte dita e diplomimit të studentëve të vitit të katërt dhe siç është bërë traditë, pas Liturgjise Hyjnore, organizohet një festë në sallën “Sion” të Manastirit.

    Për të nderuar këtë festë, kishin ardhur: Kryepiskopi i Anastas, Mitropoliti i Beratit, Ignati, Mitropoliti i Korçës, Joani, Episkopi i Krujës, Andoni, Episkopi i Amantias Nathanaili, Episkopi i Bylisit, Asti, drejtori i Akademisë Theologjike, Episkopi i Apollonisë, Nikolla, etj.

    Festën e hapi Hirësi Nikolla, i cili kujtoi vitet e para të ringritjes së Kishës,  vështirësitë dhe punën e madhe që ka bërë Kryepiskopi Anastas, i cili që me ardhjen e tij në Shqipëri ngriti seminarin e përgatitjes së klerikëve dhe theologëve.

    “Me dashurinë që tregojmë për njëri-tjetrin i tregojmë botës se jemi nxënës të Krishtit” – theksoi Hirësi Nikolla.

    Fjalën e rastit e mbajti, Kristina Tolaj, studentja më e mirë e vitit IV, e cila tregoi se vinte nga “Shtëpia e Shpresës” dhe ishte ndër fëmijët e parë që jetonte aty. Kristina tregoi kujdesin e veçantë të Kryepiskopit për të gjithë fëmijët e kësaj shtëpi. Më pas ajo kujtoi dhe falënderoi të gjithë ata që e kishin ndihmuar që të rritej, të formohej e përgatitej për të dalë në jetë. “Lavdi Perëndisë” ishte dhe përshëndetja e fundit që  dha Kristina në fjalën e saj.

    Në fund e mori fjalën Kryepiskopi Anastas. Katër aspekte cilësoi në përshëndetjen e tij, Imzot Anastasi: Mirënjohje, Përgjegjshmëri, Përpjekje dhe Shenjtërim.

    “Mirenjohje për Perëndinë,  për çfarë na ka falur deri tani. Mirënjohje ju studentë për sa Perëndia ju ka falur për studimet tuaja në katër vite në këtë vend. Fjalët e bukura janë shumë të lehta për t’u thënë, por në çaste kritike dallohen njerëzit e vërtetë që kanë mirënjohje.”

    “Fjala e dytë që dua të nënvizoj është Përgjegjshmëria. Ateizmi ende jeton tek njerëzit. Puna që duhet të bëjmë me të rinjtë dhe që të mbështesim fëmijët që në vitet e para në besim është një vepër shumë e madhe dhe kërkon përgjegjësi të jashtëzakonshme nga të gjithë}.

    “Perpjekja e vazhdueshme është karaktëristikë e shEnjtorëve. Jo te gjithë shenjtorët bënë mrekulli, jo të gjithë shkuan drejt martirizimit, por të gjithë shenjtorët luftuan, bën përpjekje për shenjtërimin e tyre me shumë besim dhe me shume dashuri, me shume guxim dhe burrëri, me frymë sakrifice dhe flijimi deri në fund”.

    Shenjtërimi ishte çështja e fundit ku u ndal Kryepiskopi

   “Perëndia nuk do nga ne që të jemi njerëz të mirë. Perëndia ka vënë një qëllim shume te lartë për ne, me një bukuri të paimagjinueshme dhe rëndësi të jashtëzakonshme, është shenjtërimi. Kjo është fjala e katërt, që më saktë është “Jemi thirrur për t’u shenjtëruar”.

    Në fund të veprimtarisë, për të gjithë studentët e vitit të katërt u ndanë diplomat.   
                                        
                                                                                               
Julia Pjetri