“Kryqi i Lambethit”, një dekoratë e veçantë për udhëheqës të huaj fetarë, iu akordua Kryepiskopit të Shqipërisë, Fortlumturisë së Tij z. Anastas nga dr. Rowan Williams, Kryepiskop i Kanterburit dhe anëtar i Dhomës së Lordëve.
Në 7 korrik 2011, gjatë darkës zyrtare në Selinë Kryepiskopale të qytetit të Jorkut të Anglisë, Kryepiskopi i Kanterburit dr. Williams, duke folur me një mënyrë tepër lavdëruese, i akordoi Kryepiskopit Anastas dekoratën në fjalë, ndërsa Kryepiskopi Anastas gjatë fjalës së tij të falënderimit midis të tjerave tha: “Teksa kundroj Kryqin e Lambethit sjell në mendje vargjet e poetit nobelist T.S.Elliot: “Ku je o urtësi që të humbëm brenda dijes? Dhe ku je o dije që të humbëm brenda informimit?” Ka shumë informim në lidhje me Kryqin. Madje akoma edhe më tepër, ka dije theologjike. Por ajo që kërkohet nga secili nga ne është t’i përafrohemi dhe të familjarizohemi me “urtësinë e Kryqit”, urtësi që i referohet shpëtimit të gjinisë njerëzore dhe që mbështetet në mirënjohjen për mëshirën e pafund të Perëndisë, në dashurinë, në vetësakrifikimin dhe në kontributin e vazhdueshëm”.
Përveç kësaj ditën tjetër, gjatë fillimit të Sinodit të Përgjithshëm të Kishës Anglikane, Kryepiskopi i Kanterburit duke e ftuar Kryepiskopin Anastas të merrte fjalën në podium si folësi kryesor, e përfundoi përshëndetjen e tij me fjalët e mëposhtme: “Rigjallërimi i Kishës Orthodhokse në Shqipëri i detyrohet gjithçka një udhëheqësi, aftësitë shpirtërore dhe intelektuale të të cilit, fuqia e personalitetit të tij, përulësia dhe shenjtëria e tij, kanë qenë për shumë vetë një far në Evropën e epokës sonë. Kryepiskopi Anastas e nisi karrierën e tij në Afrikë, është grek nga origjina, një theolog që shkëlqeu në lëmin e misionarizmit. Ka dhënë mësim në institucione të ndryshme akademike, ndërkohë që arriti të verë në përdorim këtë aftësi theologjike, në shkallën më sipërore, me qëllim rilindjen e Kishës Orthodhokse të Shqipërisë”.
Në vazhdim, Kryepiskopi i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë, Anastasi, përpara pesëqind anëtarëve të Sinodit të Përgjithshëm, klerikë të të gjitha gradave dhe anëtarëve të shquar të shoqërisë angleze, mbajti temën: “Transmetimi i Ungjillit në botën moderne – Ngritja e një Kishe lokale”, e cila kishte si bosht kryesor eksperiencën e tij nga ringritja e Kishës Orthodhokse në Shqipëri.
Fjalimi i Kryepiskopit Anastas u mbyll me meditimet e mëposhtme: “Kur i referohemi transmetimit të Ungjillit, mendimi im shkon në dy liqenet e Palestinës: në Detin e Galilesë dhe në Detin e Vdekur.
Të dy këto liqene kanë një karakteristikë të përbashkët dhe një ndryshim esencial. Të dyja marrin ujë nga lumi Jordan. Liqeni i parë, i Galilesë, pranon ujin dhe e ofron që të vaditen zonat jugore. I dyti, Deti i Vdekur, pranon ujin, por e mban për veten e tij. Në liqenin e parë jeta gjallon brenda ujit dhe pranë brigjeve të tij. Në të dytin nuk ka gjurmë jete. Dhe e dimë se Zoti ynë nuk kishte asnjë lidhje me Detin e Vdekur. Ai e nisi misionin e tij publik dhe kreu shumë nga mrekullitë e tij në Detin e Galilesë.
Ne të krishterët kemi privilegjin të marrim vazhdimisht ujin e gjallë të Jordanit shpirtëror. Pranojmë pa kursim të mira të bollshme shpirtërore dhe materiale. Nëse i mbajmë vetëm për veten tonë, do t’i humbasim. Deti i Vdekur ngelet simboli i atij që pranon dhurata dhe që i ruan për veten e tij. Nëse i ndajmë me të tjerët do të ngjasojmë me jetën e gjallë të Detit të Galilesë. Kur dikush merr dhe e ndan atë çka merr, ky është sekreti për të pasur jetë. Më saktë Jetën!”.
Zyra e Shtypit e Kryepiskopatës